Health & Beauty

Një aromë që nuk na pëlqen mund ta mbrojë kujtesën tonë?!

Sipas një studimi të hulumtuesve nga Johns Hopkins Medicine, gazi që shkakton aromën karakteristike të vezëve të prishura, i njohur si sulfidi i hidrogjenit, mund të ketë rol mbrojtës në parandalimin e sëmundjes së Alzheimerit. Ky gaz, të cilin trupi e prodhon natyrshëm në sasi të vogla, merr pjesë në procese të rëndësishme të sinjalizimit qelizor dhe në ruajtjen e shëndetit të qelizave nervore. Por ajo që është më interesante është mënyra se si shkencëtarët po i përdorin këto molekula të vogla për të kuptuar mekanizmat e plakjes së trurit dhe neurodegjenerimit.

Edhe pse në sasi të mëdha mund të jetë toksik, në doza të vogla sulfidi i hidrogjenit funksionon si një molekulë sinjalizuese në trupin tonë. Studimi zbuloi se niveli i këtij gazi në tru bie natyrshëm me moshën, rënia është më e theksuar te personat me Alzheimer, sulfidi i hidrogjenit merr pjesë në procesin e quajtur sulfidrim, i cili ndihmon qelizat të funksionojnë siç duhet. Dr. Bindu Paul, autorja kryesore e studimit, thekson se sulfidi i hidrogjenit dhe molekulat e tjera “transmetuese të gazrave” janë thelbësore për të kuptuar plakjen dhe zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative.

Shkencëtarët përdorën minj të modifikuar gjenetikisht të cilët zhvillojnë ndryshime të ngjashme me Alzheimerin. Një pjesë e tyre mori një përbërje të quajtur NaGYY, e cila lëshon gradualisht sulfidi i hidrogjenit. Rezultatet ishin befasuese; përmirësim i kujtesës dhe funksioneve motorike rreth 50%, aftësi më të mira të të nxënit dhe orientimit në hapësirë, aktivitet fizik më i lartë krahasuar me minjtë që nuk morën trajtim. Kjo është hera e parë që korrigjimi i nivelit të sulfidit të hidrogjenit në tru ka sjellë përmirësim të dukshëm të elementeve të Alzheimerit në një model kafshësh.

Hulumtuesit zbuluan se në nivele normale, sulfidi i hidrogjenit ndikon në enzimën GSK3β, e cila në një tru të shëndetshëm luan rol në sinjalizimin qelizor. Kur niveli i gazit bie, enzima lidhet tepër me proteinën Tau, proteina Tau formon “nyje” brenda qelizave nervore, këto nyje bllokojnë komunikimin mes neuroneve dhe shkaktojnë vdekjen e tyre. Ky është procesi që çon drejt humbjes së kujtesës, rënies njohëse dhe çrregullimeve motorike tipike për Alzheimerin.