Pas 25 vitesh përvojë në arsimin e lartë, duke punuar me mijëra studentë për suksesin akademik dhe rezultatet në karrierë, një këshilltar karriere në universitetet amerikane arrin në një përfundim që surprizon shumë familje: pyetja që shtrohet më shpesh për universitetin është e gabuar.
Shpesh, të rinjve u kërkohet të përqendrohen te zgjedhja e “degës së duhur”, zakonisht asaj që premton pagën më të lartë fillestare. Ky është standardi që ndjekin shumë vetë dhe që sipas tij, u shkakton më shumë stres studentëve.
Por, karrierat nuk zhvillohen në këtë mënyrë. Gjatë viteve, ai ka parë studentë nga degë shumë të ndryshme të përfundojnë në pozicione të ngjashme profesionale.
Ka të diplomuar në arte liberale dhe komunikim që arrijnë të kapin ritmin e kolegëve nga biznesi dhe STEM. Po ashtu, ka parë studentë në degë “praktike” që përballen me stanjacion më herët nga sa pritej.
Çfarë i dallon ata që fitojnë më shumë pas një dekade?
Sipas tij, ajo që ka më shumë rëndësi nuk është vetë dega, por mënyra se si studenti e përdor kohën gjatë universitetit.
Studimet e Burning Glass Institute mbështesin këtë vlerësim: ndonëse disa degë çojnë në paga më të larta në fillim, këto diferenca nuk mbeten të pandryshuara. Shumë të diplomuar në fusha jo-teknike arrijnë ta ngushtojnë hendekun brenda një dekade.
Pra, puna e parë ka rëndësi, por suksesi afatgjatë varet nga katër faktorë: zgjedhja e një dege që i përshtatet studentit, ndërtimi i aftësive me vlerë, përvoja reale dhe krijimi i rrjeteve të forta të kontakteve profesionale.
Pasioni ka rëndësi, por përputhja është ajo që shpërblehet. Ka studentë që e duan atë që studiojnë, por hasin vështirësi në lëndë ose nuk arrijnë ta kthejnë atë në një mundësi konkrete pas diplomimit.
Përputhja, sipas tij, kërkon përgjigje për disa pyetje kyçe: çfarë i pëlqen studentit, në çfarë është i zoti dhe ku ndodhen mundësitë.
Paga fillestare është një moment, jo një trajektore. Të diplomuarit me aftësi të adaptueshme vazhdojnë të ecin përpara, ndërsa të tjerët ndalen. Shpesh, pas 10 apo 15 vitesh, pika e nisjes humbet rëndësinë.
Aftësitë e transferueshme janë ato që bëjnë diferencën. Komunikimi, lidershipi, zgjidhja e problemeve dhe vendimmarrja nën presion janë aftësitë që i shtyjnë njerëzit përpara në karrierë.
Edhe ajo që studenti bën jashtë auditorit ka peshë reale.
Roli në organizata studentore, projektet praktike dhe përfshirja aktive shpesh ndikojnë më shumë në të ardhmen profesionale se vetë puna e parë pas diplomimit. /shqip.al