Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Ja dhe Samsung Z TriFold, që më në fund është zyrtar. Jo koncept, jo thashetheme – pajisja me dy palosje po vjen realisht në treg.
Fillimisht del në Korenë e Jugut më 12 dhjetor dhe në SHBA në fillim të 2026-s. Çmimi për momentin është vetëm në monedhën koreane, rreth 2,500 dollarë për versionin prej 512GB. Pra, nëse planifikon ta blesh, fillo që tani seriozisht me kursimet.
Pjesa më e çmendur është ekrani i brendshëm: 10 inç, 120Hz adaptiv deri në 1Hz. Praktikisht një tablet i vërtetë që paloset në dy vende. Mund të hapësh tre aplikacione krah për krah, gjë që e bën shumë praktik për punë. Ekrani i jashtëm është 6.5 inç, pra më shumë si një telefon normal.
Pajisja përbëhet nga tre panele me trashësi të ndryshme – nga 3.9mm në 4.2mm – dhe kur paloset arrin 12.9mm. Jo e hollë, por për një pajisje që paloset dy herë… nuk është keq. Samsung madje e ka testuar me 200,000 palosje, pra teorikisht të çon deri pesë vite nëse e hap dhe e mbyll 100 herë në ditë. Nëse e hap më shumë se aq herë, problemi nuk është telefoni, je ti.
Ka tre kamera të pasme shumë serioze: një 200MP kryesore, një ultra-wide dhe një telefoto 3x. Ka kamera edhe në ekranin e jashtëm, edhe në atë të brendshëm. Kapaciteti i baterisë është 5,600mAh, e shpërndarë në të tre panelet, dhe brenda ka Snapdragon 8 Elite me 16GB RAM.
E vetmja mungesë që do ndihet? Asnjë mbështetje për S Pen. Pra, ky tablet-telefon me dy palosje mund të bëjë gjithçka… përveç të të lejojë të shkruash me stylus. Megjithatë, është një nga pajisjet më interesante që Samsung ka prodhuar ndonjëherë – dhe për vetë faktin, që duket sikur po mban një pajisje nga viti 2030.