Aktualitet

Njoftimet për debitorët e taksave vendore në Tiranë edhe në e-Albania krahas postës!

Përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave e Tarifave Vendore (DPTTV), Bashkia e Tiranës ka nisur të njoftojë debitorët e taksave vendore edhe në platformën e-Albania, përveç metodës tradicionale me postë. Në një njoftim thuhet:

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore-Bashkia Tiranë ka ndërmarrë një hap të ri për të përmirësuar transparencën dhe komunikimin me qytetarët dhe bizneset.

Prej datës 30 shtator 2025, njoftimet dhe kërkesat për pagesë për debitorët e taksave dhe tarifave vendore, pra subjektet me detyrime të papaguara krahas shpërndarjes me postë, po dërgohen për herë të parë edhe online në platformën qeveritare e-Albania.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, deri tani janë dërguar mbi 40 mijë njoftime, duke kombinuar metodën tradicionale me postë e zgjidhjen digjitale, në mënyrë që çdo debitor të informohet sa më shpejt për detyrimet e tij.

Njoftimi gjendet në rubrikën “Dokumentet e Mia” në e-Albania, si nga profili i biznesit, ashtu edhe nga profili i individit, për pronarët e njësive tregtare. Këto njoftime kanë për qëllim kujtesën e debitorëve për shlyerjen e detyrimeve ligjore në kohë, duke shmangur penalitetet dhe procedurat administrative të mëtejshme, thekson DPTTV.

Një zhvillim i tillë shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve vendore: më shumë transparencë, më shumë efikasitet, shmangie të burokracive, si dhe një qasje që i jep përparësi digjitalizimit.