Aktualitet

Dosja “5D”, SPAK-u kërkon dënimin me burg për ish-zyrtarët e Bashkisë Tiranë!

Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me burg të ish-zyrtarëve të Bashkisë Tiranë dhe katër shtetasve të tjerë, të përshirë në abuzimin me tenderat në kuadër të dosjes “5D”. SPAK-u ka paraqitur kërkesat për dënim me burg dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare për të pandehurit:

Redi Molla – 11 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike

Mariglen Qato – 9 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike

Taulant Tusha – 4 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike

Albano Janku – 2 vite burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike

Enton Punavija – 3 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike

Julian Zanaj – 3 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike

Nestor Muhametllari – 7 vjet burg, si dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike

Dy ish-drejtorët, Redi Molla dhe Mariglen Qato, akuzohen nga SPAK për “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “pastrim parash”, në lidhje me procedurat e prokurimit publik të përfshira në dosjen “5D”.

Sipas hetimeve, ata janë arrestuar në mars të vitit 2024, pas një hetimi të nisur në vitin 2023. Prokuroria pretendon se Molla dhe Qato kanë favorizuar kompaninë e tyre, “5D Konstruksion”, në tenderat e dhënë nga Bashkia e Tiranës.

Organi i akuzës pretendon se dy ish-zyrtarët janë pronarët përfitues realë të kompanisë “5D Konstruksion”, e cila ka fituar 11 tendera nga Bashkia e Tiranës gjatë periudhës 2016–2022, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.