Shqipëri-Gjermani firmosin marrëveshjen që i hap rrugën njohjes reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve ndërsa rregullat e reja hyjnë në fuqi më 1 qershor. Në Tiranë, firmat i hodhën ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Balluku e Sekretari Parlamentar i Shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Infrastrukturën, Oliver Luksic,
Balluku theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Gjermani, si edhe për ata që do të vizitojnë këtë shtet.
Për një vend që prej kohësh aspiron anëtarësimin në BE dhe hap pas hapi po rrit masat e përpjekjet për të arritur këtë qëllim, ky certifikim është shpresëdhënës për të ardhmen e Shqipërisë së pjesëtare e Unionit.
Zyrtari gjerman, Oliver Luksic deklaroi se “nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit përbën një hap para të Shqipërisë drejt integrimit europian”.
Njohja e lejeve të drejtimit përbën një kontribut të rëndësishëm në përafrimin e dy vendeve tona dhe një sinjal të rëndësishëm për shqiptarët që jetojnë në Gjermani, që të mund të lëvizin lirshëm. Dimensioni më i rëndësishëm mendoj është ai europian, përbën një sinjal të rëndësishëm për përafrimin jo vetëm me Gjermaninë, por edhe Europën.
Zotëruesit e një lejeje drejtimi të kategorive A, A1, A2, B, BE, C, C1, C2, D, D1, D2 (motoçikletë, veturë, kamion dhe autobus), të lëshuara pas datës 24 janar 2017, mund të bëjnë konvertimin pa qenë nevoja e një provimi të ri.
Kjo vlen për shtetas me rezidencë në Gjermani (qëndrimi në Gjermani për të paktën 185 ditë në vit). Për Gjermaninë kjo njohje përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në mënjanimin e mungesave të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Me një ndryshim të fundit ligjor (rregullorja e 15-të për ndryshimin e rregullores së lejeve të drejtimit (FeV) dhe rregullave të tjera të qarkullimit rrugor), tashmë qytetarëve shqiptare u hapet rruga për të konvertuar në të ardhmen në leje gjermane drejtimi, pa pasur nevojë për test, lejet shqiptare të klasave A, A1, A2, B, BE, C, C1, C2 D, D1, D2 (motoçikletë, veturë, kamion dhe autobus), dhe të klasës AM pas kalimit të një testi Praktik.
Rregullat për konvertimin e lejeve të drejtimit nga Republika e Shqipërisë hyjnë në fuqi më 1 qershor 2022. Megjithatë, landeve federale përgjegjëse për zbatimin e rregulloreve për lejet e drejtimit u është rekomanduar që të fillojnë që tani të veprojnë në përputhje me këto rregulla. Përgjegjëse për konvertimin janë autoritetet e lejeve të drejtimit në vendbanimin e aplikuesve.