Një zyrtar i lartë taleban ka akuzuar perëndimin se po kërkon që të krijojë panik dhe kaos në Afganistan, pas marrjes së pushtetit. Amir Khan Mutaqi ka deklaruar se SHBA-ja po përpiqet që të fsheh humbjen e saj duke krijuar një “dramë evakuimi”.
Ndonëse në media janë shpërndarë pamje ku shihen njerëz që dhunohen, rrihen me kamzhik, talebanët vijojnë të thonë se kanë ardhur aty në paqe, e ndërsa Amir Khan Mutaqi shtoi se çdo vendim merret për të mirën e Afganistanit. Madje, ai shtoi se talebanët janë në bisedime me të gjithë për të arritur një marrëveshje të re për qeverinë e ardhshme.
Ndërkaq, Drejtoresha Kombëtare për Afganistanin i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara së fundmi ka dhënë alarmin duke shprehur se:
Bota të mobilizohet tani ose do të jetë vonë. Me marrjen nën kontroll të talebanëve, Afganistani do të përballet me katastrofë të plotë humanitare, me uri të përhapur, njerëz të pastrehë dhe kolaps ekonomik nëse nuk arrihet një përpjekje urgjente humanitare pas tërheqjes së SHBA nga vendi.
Rikujtojmë, se prej disa ditësh, institucionet bankare po qëndrojnë të mbyllura në Afganistan teksa vendi është nën kontrollin e talebanëve. Nuk ka para brenda bankomateve, nuk ka banka të hapura dhe nuk ka zyra të Western Union, aty ku njerëzit nga jashtë mund të transferojnë para.
Si rrjedhojë, është thuajse e pamundur të dërgosh para në Afganistan. Njerëzit thonë se po u mbarojnë kursimet. Qytetarët në Kabul dhe qytetet e tjera janë në ankth për të ardhmen, teksa mijëra prej tyre janë dyndur drejt aeroportit, për t’u larguar me avionët e evakuuimit. Programi i “BBC Radio 4’s Today” ka kontaktuar një profesoreshë e cila aktualisht është fshehur në Kabul. E pyetur se si ka ndryshuar jeta që kur talebanët kontrollojnë Kabulin, ajo tha se çdo aspekt ishte i ndryshëm.