Porsche SE, aksioneri kryesor i Volkswagen (VW), nuk po planifikon shitjen e aksioneve të VW. Në përgjigje të një pyetjeje, një zëdhënës i Porsche tha se nuk kishte plane konkrete aktuale për të shitur aksionet e VW dhe as nuk ka pasur në vitin 2024. Gazeta Bild kishte raportuar më parë se degët e familjes rreth Wolfgang Porsche dhe Hans Michel Piëch po konsideronin një shitje të pjesshme të aksioneve të tyre të VW. Porsche SE është kompania investuese e familjeve Porsche dhe Piëch. Ajo zotëron 53.3% të aksioneve të zakonshme të Volkswagen, duke i dhënë asaj shumicën e të drejtave të votës.
“Nuk ka pasur asnjë diskutim me investitorët në lidhje me shitjen e aksioneve të VW”, citohet të ketë thënë zëdhënësi. “Porsche është e përkushtuar ndaj rolit të saj si një aksioner ankorues afatgjatë i Volkswagen dhe është i bindur për potencialin e krijimit të vlerës së Grupit Volkswagen”-shtoi zëdhënësi. Aksionet e prodhuesit gjerman të makinave Porsche ranë 7%, performanca e saj më e keqe që nga dalja publike, pasi kompania paralajmëroi se kostot për modelet e reja të automjeteve dhe bateritë për makinat elektrike do të reduktonin ndjeshëm fitimin e saj këtë vit.
Porsche tronditi investitorët duke thënë se priste një marzh fitimi prej vetëm 10 deri në 12 përqind këtë vit, nën pritjet e analistëve prej 14.8 përqind dhe shumë nën objektivin e saj afatmesëm prej 17 deri në 19 përqind. Kompania tha gjithashtu se do të ndajë 800 milionë euro për të zhvilluar hibride të reja plug-in dhe makina me motorë me djegie të brendshme, pasi është e detyruar t’i përgjigjet kërkesës së dobët për automjete elektrike në Evropë dhe konkurrencës së ashpër nga rivalët kinezë. “Ne besojmë se kjo është përpjekja e fundit e Porsche për të provuar se ata mund ta kthejnë biznesin përpara se të humbasin besimin e aksionarëve afatgjatë”-u shprehën në një shënim analistët e Deutsche Bank.