Bota

“Nuk kemi gjë për të fshehur”, Trump: Publikoni dosjen “Epstein”!

“Nuk kemi asgjë për të fshehur”. Me këto fjalë, presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje republikanëve në kongres, të votojnë për të publikuar dokumentet e lidhura me abuzuesin seksual, Jeffrey Epstein, në një përmbysje të qëndrimit të tij të mëparshëm.

Mesazhi i Trump-it në rrjetet sociale erdhi pasi kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson deklaroi se besonte që një votim mbi publikimin e dosjes në duart e Departamentit të Drejtësisë për rastin Epstein do t’i jepte fund pretendimeve se Trump kishte ndonjë lidhje me trafikimin dhe abuzimin e vajzave të mitura, nga ana e financierit të vetëvrarë.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duhet të votojnë për publikimin e materialeve se ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Koha t’i vëmë kapakun këtij mashtrimi demokrat të përgatitur nga lunatikët e së majtës radikale, me qëllim që të devijojnë vëmendjen nga suksesi i madh i Partisë Republikane, përfshirë fitoren tonë të fundit ndaj “mbylljes së qeverisë” nga ana e demokratëve, tha Trump.

Edhe pse Trump dhe Epstein janë fotografuar bashkë disa dekada më parë, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se ata i kishin ndërprerë marrëdhëniet që para dënimit të Epstein-it.

Email-e të publikuara javën e kaluar nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve, treguan se financieri i vetëvrarë besonte se Trump ishte në “dijeni të vajzave”, edhe pse nuk është e qartë se çfarë nënkupton kjo frazë.

Në një prej email-eve që i çonte bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell, pretendonte se Trump kishte kaluar disa orë në shtëpinë e tij me njërën prej vajzave. Presidenti republikan që i cilëson këto si një fushatë shpifjeje, udhëzoi Departamentin e Drejtësisë të hetojë lidhjet e Epstein-it me figura kyçe të demokratëve, përfshirë Bill Clinton-in. Çështja ka ndarë republikanët në Kongresin Amerikan, me disa prej tyre që besojnë se qeveria po fsheh informacione të ndjeshme.