Elle Fanning ka përjetuar një nga momentet më emocionale të karrierës së saj, pasi u nominua për herë të parë për çmimin Oscar.
Aktorja 27-vjeçare u përfshi në kategorinë “Aktorja më e Mirë në Rol Dytësor” për interpretimin e saj në filmin Sentimental Value, një vlerësim që ajo e përshkroi si diçka që “do të thotë gjithçka”.
Pas shpalljes së nominimeve për edicionin e 98-të të Çmimeve të Akademisë, të enjten më 22 janar, Fanning ndau me ndjekësit reagimin e saj të sinqertë në rrjetet sociale.
Ajo publikoi një foto nga një telefonatë në FaceTime me regjisorin e filmit, Joachim Trier, dhe bashkëshorten e tij, Helle Bendixen Trier, ku shihej duke qarë nga emocionet.
A është e vërtetë kjo? A po ëndërroj? Nuk mund të marr frymë. Jam krejtësisht e shokuar
-shkroi ajo në postimin e saj.
Çfarë nderi të nominohem për Oscar-in tim të parë për një film që flet për fuqinë e kinemasë dhe të familjes.
Aktorja tregoi se momentin e shpalljes së nominimeve e përjetoi e rrethuar nga njerëzit më të dashur.
Mamaja, gjyshja, motra dhe tezja ime ishin me mua këtë mëngjes për të bërtitur, për t’u përqafuar dhe për të qarë. Faleminderit, faleminderit, faleminderit
-shtoi ajo.
Fanning theksoi gjithashtu sa e veçantë ishte për të të ishte pjesë e kësaj kategorie përkrah shumë grave që ajo i konsideron frymëzuese.
Të jem në këtë kategori me kaq shumë gra të jashtëzakonshme është vërtet e jashtëzakonshme
-shkroi ajo, duke shtuar se u emocionua po aq edhe për vlerësimin që mori i gjithë ekipi i filmit Sentimental Value.
Filmi, ku luajnë gjithashtu Renate Rainsvé, Stellan Skarsgård dhe Inga Ibsdotter Lilleaas, rrëfen historinë e një gruaje që detyrohet të rilidhet me babanë e saj të larguar, një regjisor i famshëm, pasi ai rikthehet papritur në jetën e saj pas vdekjes së nënës.
Produksioni ka marrë gjithsej shtatë nominime për Oscar, përfshirë edhe atë për Filmin më të Mirë.
Ky nominim shënon një pikë kthese në karrierën e Elle Fanning dhe e vendos atë mes emrave më të spikatur të kinemasë së momentit.