Celebrities Gossip Showbiz

Skandal në aeroportin JFK! Regjisorit i zhduket “Oscar”-i pas kontrollit të sigurisë?

Një incident i pazakontë ka ndodhur në aeroportin ndërkombëtar “John F. Kennedy” në New York, ku regjisori Pavel Talankin u detyrua të dorëzonte përkohësisht çmimin e tij “Oscar” përpara një fluturimi drejt Gjermanisë.

Sipas raportimeve, stafi i sigurisë nuk e lejoi statujën të merrej si bagazh dore, duke e konsideruar si objekt potencialisht të rrezikshëm. Për këtë arsye, trofeu u vendos në bagazhin e avionit, vendim që më vonë solli probleme të mëdha.

Pas mbërritjes në Gjermani, Talankin zbuloi se çmimi nuk ndodhej mes sendeve të tij, duke shkaktuar shqetësim dhe konfuzion si për të, ashtu edhe për ekipin që e shoqëronte.

Ngjarja shkaktoi reagime të forta edhe nga bashkëpunëtorët e produksionit, të cilët kundërshtuan vendimin e autoriteteve dhe theksuan se regjisori kishte udhëtuar edhe më parë me statujën pa hasur asnjë problem.

Megjithatë, pas disa orësh pasigurie, linja ajrore konfirmoi se “Oscar”-i ishte gjetur i sigurt në Frankfurt.

Kompania kërkoi falje për incidentin dhe bëri të ditur se ka nisur një hetim të brendshëm për të zbuluar si ndodhi ngatërresa.

Trofeu i përket dokumentarit “Zoti Askush Kundër Putinit”, një film që trajton mënyrën se si zhvillohet propaganda në një shkollë ruse pas pushtimit të Ukrainës.

Autori i dokumentarit, i cili jeton jashtë Rusisë për arsye sigurie, raportohet se udhëton shpesh me çmimin në evente dhe prezantime ndërkombëtare, duke e përdorur atë jo vetëm si simbol suksesi, por edhe si mënyrë për të përcjellë mesazhin e filmit te publiku.