Bota

Nuk ndalen sulmet izraelite, Gaza përgjaket përsëri!

Agjencia për Mbrojtjen Civile në Gaza deklaroi se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën dhjetë persona ditën e sotme teksa ushtria izraelite po vazhdon ofensivën në territorin palestinez. Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, tha për AFP-në se sulmet vdekjeprurëse shënjestruan një zonë ku po strehohen personat e zhvendosur në Han Junis, disa shtëpi në Qytetin e Gazës e në Deir el-Balah.

Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këto raportime. Izraeli ka intensifikuar ofensivën e tij, duke vënë në dukje se synon të mposhtë Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, i cili sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit 2023, një sulm që nxiti luftën në Gaza.

Veprimi i paprecedentë i Hamasit la të vrarë rreth 1 mijë e 200 persona, shumica civilë. Grupi radikal palestinez nuk u mjaftua me kaq, por rrëmbeu edhe rreth 250 të tjerë. Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, të paktën 4 mijë e 335 persona janë vrarë që kur Izraeli rinisi ofensivën më 18 mars.

Numri i përgjithshëm i viktimave që nga nisja e luftës, referuar këtij dikasteri ka arritur në 54 mijë e 607. Burime zyrtare vunë në dukje se shumica e viktimave ishin civilë.