Bota

Nuk ndalet Izraeli, sulme në lindje të Libanit!

Një sërë sulmesh ajrore kanë goditur lindjen e Libanit siç raportoi sot media shtetërore, teksa ushtria izraelite tha se ka shënjestruar pozicione që i përkasin grupit Hezbollah, i cili mbështetet nga Irani.

Hezbollahu është shpallur “grup terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban raportoi se shtatë sulme ajrore goditën rajonin lindor të Hermelit. Ushtria izraelite tha se ka goditur një sërë “objektivash që i përkasin organizatës terroriste Hezbollah” në Luginën Beka, përfshirë ato që i përshkroi si kampe stërvitore që përdoren nga forca elitare e grupit, Radvan.

Ushtria izraelite u shpreh se aktivitetet e Hezbollahut dhe depot e armëve përbëjnë “shkelje flagrante” të marrëveshjes së arritur nëntorin e vitit të kaluar, që kishte për qëllim t’i jepte fund mbi një viti armiqësi mes Hezbollahut e Izraelit.

Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme ajrore në Liban, pavarësisht marrëveshjes.

Sulmet e 8 shtatorit vijnë pasi javën e kaluar Qeveria e Libanit tha se ushtria do të nisë zbatimin e planit për çarmatosjen e Hezbollahut, pa dhënë detaje të tjera rreth këtij plani. Hezbollahu e kundërshton planin për çaramatosje.