Zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, vijon procesi i numërimit e vlerësimit të votave nga jashtë për kandidatët e votimit preferencial, në listë të hapur për qarqet Durrës, Tiranë, Shkodër, Fier, Lezhë e Dibër.
Sa iu përket socialistëve, votat e fundit kanë ndryshuar listën e fituesve në Tiranë duke futur Olta Xhaçkën dhe lënë jashtë Blerina Gjylametin, për vetëm 2 vota më pak se Xhaçka. Lista e Partisë Socialiste në Tiranë kryesohet nga Blendi Gonxhja, si më i votuari, me mbi 22 mijë vota.
Deri tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur përmes një njoftimi se në qarkun Kukës ka përfunduar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë për kandidatët e votimit preferencial, pra në listë të hapur. Falë votave të Diasporës, rezultati për qarkun verilindor u përmbys mes kandidatëve të PD-së. Me një avantazh të dukshëm, Isuf Çelaj fitoi mandatin e dytë të PD-së për qarkun Kukës.
Gara ishte ngushtë mes tij dhe kandidatit Shkëlqim Shehu, por Çelaj arriti të krijojë në fund një kryesim prej 64 votash.
Po ashtu ka përfunduar numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit nga Greqia për subjektet zgjedhore në qarqet: Durrës, Tiranë, Shkodër, Dibër e Lezhë.
Sipas KQZ-së, ende vijon procesi i numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit nga Greqia për subjektet zgjedhore në qarqet Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Elbasan e Berat.