Zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, pas përfundimit të numërimit të votave të Diasporës për partitë, tashmë pritet rezultati për votat preferenciale, ku gara më e fortë zhvillohet brenda Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës. Olta Xhaçka ka arritur të kalojë Blerina Gjylametin, pas numërimit të votave të ardhura nga Greqia për Tiranën, duke marrë një avantazh prej 69 votash.
Po brenda PS-së, Ornaldo Rakipi ka një epërsi prej 447 votash ndaj Xhemal Qefalisë. Një tjetër emër që ka siguruar mandat nga lista e hapur është ministrja Anila Denaj, e zgjedhur përmes kuotës gjinore.
Në kampin opozitar, gara brenda Partisë Demokratike në Tiranë konsiderohet e mbyllur. Jorida Tabaku kryeson me mbi 2300 vota ndaj Ilir Alimehmetit, një rezultat që nuk ndikohet nga votat e Diasporës duke siguruar mandatin e vetëm që Partia Demokratike mori në listën e hapur për Tiranën.
Gara për votat preferenciale është gjithashtu e fortë në Lezhë, si në radhët e PS-së ashtu edhe në ato të PD-së, por vetëm brenda secilës parti. Në PD, Kastriot Piroli ka një epërsi të dukshme ndaj Aleksandër Lalës, ndërsa në PS, Marjeta Neli kryeson me 464 vota ndaj Admir Kadelit.
Në qarkun e Fierit, socialistët Dhimitër Kruti dhe Ramion Kurti ndodhen në një garë të ngushtë, me vetëm 117 vota diferencë mes tyre. Ndërkohë në Korçë, Besa Spaho përpiqet të ruajë mandatin nga kolegia socialiste Eslemvera Zake, duke udhëhequr me 566 vota.
Partia Socialiste ka siguruar deri tani 83 mandate, duke ruajtur edhe mandatin e 12-të në Fier pas numërimit të votave të Diasporës nga Greqia. Nga ana tjetër, Partia Demokratike mban 50 mandate, pasi ruajti të katërtin në Lezhë.