Aktualitet Politikë

NYT: Këshilltarët e Trump-it u paguan mbi 1.6 milion dollarë nga opozita shqiptare!

Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi shifrat zyrtare të shpenzimeve të fushatës, ku kryesonte Partia Demokratike. Për konsulencën e tij, drejtuesi i fushatës së PD-së, Chris LaCivita mori 139 milion e 111 e 686 lekë ose rreth 1.4 milion euro, të shpërndara në katër pagesa gjatë vitit. Lidhur me këto shifra, shkrun edhe gazeta e njohur The New York Times.

Konsulentët që punuan në fushatat presidenciale të Donald J. Trump-it morën më shumë se 1.6 milion dollarë për të këshilluar një parti opozitare shqiptare mbi strategjinë e saj për zgjedhjet parlamentare të majit, sipas një raporti financiar të dorëzuar të hënën.

Në raportin dorëzuar Komisionit të Zgjedhjeve, Partia Demokratike e Shqipërisë zbuloi pagesa që arrijnë ekuivalentin e mbi 1.62 milion dollarëve për firmën konsulente të Chris LaCivita-s, i cili ndihmoi në menaxhimin e fushatës së Trump-it më 2024-ën e pothuajse 65,000 dollarë për sondazhe nga firma e Tony Fabrizio-s, i cili ka këshilluar operacionin politik të Trump-it.

Partia Demokratike e Shqipërisë humbi rëndë në zgjedhjet e majit, pavarësisht përpjekjeve të LaCivita-s dhe Paul Manafort-it, i cili për një kohë të shkurtër drejtoi fushatën e Trump-it në vitin 2016, për të pozicionuar liderin e partisë, ish-presidentin Sali Berisha, si një figurë të ngjashme me Trump-in.

Pagesat e listuara në monedhën shqiptare, u kryen gjatë një periudhe më pak se katër muaj, duke filluar nga mesi i shkurtit dhe duke përfunduar në fund të majit, sipas raportit.

LaCivita punoi si pjesë e një ekipi në Shqipëri së bashku me Fabrizio-n e Manafort-in. Ky bashkëpunim ngre mundësinë që firma e LaCivita-s, “Advancing Strategies”, mund të ketë nënkontraktuar me Fabrizio-n dhe Manafort-in, një strukturë e zakonshme për konsulentët e fushatave. Ata kanë ofruar shërbimet e tyre si një ekip për fushata të tjera ndërkombëtare që nga fitorja e Trump-it, vjeshtën e kaluar.

Konsulentët politikë amerikanë që fitojnë zgjedhjet presidenciale në SHBA shpesh janë shumë të kërkuar në mbarë botën dhe nuk është e pazakontë që ata të përfitojnë pagesa të majme nga fushatat e huaja.

LaCivita, i cili udhëtoi disa herë në Shqipëri gjatë fushatës për të promovuar Berishën, refuzoi të komentonte. Manafort dhe Fabrizio nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

LaCivita dhe Manafort paraqitën Berishën si viktimë të një gjuetie shtrigash të orkestruar nga rivalët e brendshëm e demokratët amerikanë, përfshirë miliarderin George Soros, si dhe administrata e ish-presidentit Biden.

Berisha po përballet me akuza për korrupsion në Shqipëri në lidhje me një marrëveshje pronësie dhe në vitin 2021 u sanksionua nga administrata Biden për “korrupsion të konsiderueshëm”, sipas një deklarate të ish-sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, i cili e akuzoi Berishën për shpërdorim të fondeve publike dhe shfrytëzimin e pushtetit për të pasuruar aleatët e familjen.

Pas humbjes së partisë së Berishës përballë asaj Socialiste në pushtet e kryeministrit Edi Rama, LaCivita forcoi pretendimet e Berishës se zgjedhjet ishin të manipuluara. Një rinumërim i kërkuar nga partia e Berishës nuk mbështeti këto pretendime.