Health & Beauty Lifestyle

Obsesioni me pavdekësinë, kur kalohen kufijtë e arsyes!

Përpjekjet për të jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm janë po aq të vjetra sa vetë njerëzimi, nga banjat e ftohta të Hipokratit te dieta vegjetariae e Benjamin Franklin. Por sot, obsesioni për jetëgjatësinë është zhvendosur nga librat dhe recetat popullore drejt podkasteve, ku mjekë, shkencëtarë dhe influencues shëndeti diskutojnë se si mund të rinojmë trupin dhe mendjen.

Në krye të kësaj lëvizjeje qëndron Peter Attia, mjek kirurg dhe ish-këshilltar i McKinsey, i cili ka popullarizuar konceptin e “healthspan”, jo sa gjatë jeton, por sa gjatë mbetesh aktiv dhe pa sëmundje.

Në podkastin e tij The Drive, ai fton ekspertë për të folur mbi parandalimin e sëmundjeve dhe mënyrat për të zgjatur periudhën e mirëqenies. Në librin e tij bestseller Outlive, Attia trajton “katër kalorësit” që kufizojnë jetëgjatësinë: sëmundjet e zemrës, kancerin, sëmundjet neurodegjenerative dhe ato metabolike.

Ai propozon “Mjekësinë 3.0”, më proaktive dhe të personalizuar, duke e parë stërvitjen si themel të çdo rutine kundër plakjes. Një ide e veçantë e tij është “decathloni i qindvjeçarëve”, aktivitete konkrete që dëshiron të bësh në të 80-at, për të cilat duhet të stërvitesh që tani.

Në anën shkencore të spektrit qëndron Andrew Huberman, neuroshkencëtar në Universitetin e Stanfordit, autor i podkastit Huberman Lab. Emisionet e tij të gjata, shpesh mbi dy orë, trajtojnë tema nga neurokimia e trishtimit e deri te ushqyerja dhe krijimtaria.

Edhe pse kritikohet për promovimin e disa suplementeve, efektet e të cilave janë të pavërtetuara, Huberman mbetet një nga figurat më me ndikim në fushën e mirëqenies, falë mënyrës me të cilën lidh kërkimin shkencor me zakonet e përditshme.

Ai ofron një mesazh më pozitiv se shumë “guru” të jetëgjatësisë: të jetosh më mirë, jo thjesht më gjatë.

Për ata që preferojnë një qasje më teknologjike, Eric Topol, kardiolog dhe profesor i mjekësisë molekulare, përfaqëson vizionin futurist të mjekësisë. Në librin Super Agers shpjegon si Inteligjenca Artificiale dhe testet gjenetike po hapin rrugë drejt mjekësisë së personalizuar.

Sipas tij, barnat GLP-1 që përdoren për humbje peshe mund të kenë potencial për të parandaluar Alzheimer-in, Parkinson-in apo edhe kancerin.

Topol është më pak i fokusuar në ushqyerje dhe më shumë në laboratorët që do të formësojnë të ardhmen e kujdesit shëndetësor.

Por kufijtë e arsyes shpesh kalohen

Një shembull ekstrem është Bryan Johnson, ish-miliarder teknologjie dhe sot simbol i obsesionit me pavdekësinë. Ai shpenzon mbi 2 milion dollarë në vit për një regjim ultra të kontrolluar, me analiza të përditshme, dhjetëra suplemente, ushqim të programuar deri në minutë dhe transfuzione plazme nga djali i tij adoleshent.

Johnson pretendon se biologjikisht plaket vetëm gjysmë viti për çdo vit kalendarik dhe deklaron me ironi:

Tani e festoj ditëlindjen çdo dy vjet.

Ky “biohacking” i shtrenjtë është një sinjal i kohës: kërkimi për jetëgjatësi është kthyer në industri miliarda dollarëshe, që ushqehet nga teknologjia, reklamat e ankthi modern për plakjen.

Edhe pse shumë nga këto praktika janë përtej mundësive reale të njerëzve të zakonshëm, ato ndikojnë në mënyrën si mendojmë për shëndetin, si projekt i përhershëm optimizimi, jo thjesht si mungesë sëmundjeje.

Në fund, mes premtimeve për mrekulli biomjekësore dhe këshillave të përditshme për stërvitje e ushqyerje, mesazhi që mbetet është i qartë: jetëgjatësia mund të jetë çështje teknologjie, por jetesa e mirë mbetet zgjedhje personale. / shqip.al