Klubi i kuq dita-ditës po bëhet një “market” i preferuar i klubeve më të mëdha europiane. Të kuqtë kanë në skuadër disa emra mjaft tundues, që në të ardhmen mund t’i dëgjojmë në arena shumë më të mëdha. Për sa i përket merkatos në hyrje, aktualisht merkatoja e Partizanit është ndalur me rikthimin e Xhuliano Skukës dhe transferimin e Redon Ismailit. Së fundmi, drejtori Arbër Abilaliaj u shpreh se po punohet edhe për dy profile të reja lojtarësh, por aktualisht nuk ka asgjë konkrete dhe të mbyllur
Kristian Mba vijon të jetë në qendër të merkatos edhe në këto ditë të fundit. Sulmuesi nigerian aktualisht nuk është në dispozicion të trajnerit Shehi, pavarësisht se ka përparuar mjaft në programin e tij të rikuperimit. Klubi slloven i NK Celje ka bërë një ofertë të majmë për shërbimet e Mba. Ata kanë ofruar 350 mijë euro në formë direkte, teksa bashkë me bonuset në varësi të arritjeve të lojtarit dhe ekipit, operacioni do të shkonte 650 mijë euro në total. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Partizani ka vendosur ta refuzojë këtë ofertë, duke i dërguar si përgjigje pretendimin 650 mijë eurosh në formë direkte.
Kjo përgjigje e drejtuesve të kuq i ka stepur sllovenët, që gjithsesi nuk e kanë thënë fjalën e fundit. Për shkak të marrëdhënieve me të dyja klubet, në këtë operacion ka pasur rol ndërmjetësues edhe ishsulmuesi i Dinamos, Agim Ibrahimi. Te Partizani, të gjendur mes faktit që kanë një skuadër plot me sulmues, tashmë do të ishin të gatshëm të negocionin për një shifër më të ulët.
Prej thuajse gjashtë muajsh Mba po vuan problemet fizike dhe nuk ka arritur të gjejë vazhdimësinë. Në këtë edicion ai numëron 753 minuta në total, të shpërndara në 14 ndeshje, ku ka shënuar 2 gola dhe ka dhuruar 1 asist. Sa i përket Celjes, është një klub i afirmuar tashmë në elitën e futbollit slloven, ku militon prej 10 vitesh dhe numëron 1 Kupë dhe 1 titull kampion. Në këtë edicion ndodhet në vendin e parë pas 19 javësh.