Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur alarmin pas publikimit të raportit se më shumë se 72,000 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur përgjatë rrugëve të migracionit në të gjithë botën gjatë dekadës së fundit.
OKB thekson se numri më i madh i vdekjeve vjen nga vendet e prekura nga krizat ekonomike.
“Që nga viti 2014, më shumë se gjysma e këtyre 72,000 njerëzve kanë vdekur ose janë zhdukur ndërsa janë në lëvizje në vendet që përjetojnë trazira të dhunshme ose fatkeqësi, përfshirë Libinë, Iranin dhe Mianmarin”, thanë Kombet e Bashkuara në raportin e publikuar sot.
Gati 100 emigrantë vdiqën ose u zhdukën në Detin Mesdhe qendror dhe lindor në muajin janar të vitit 2024, më shumë se dyfishi i numrit të raportuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjetjet u raportuan nga agjencia e migracionit e OKB-së , Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), gjatë samitit Itali-Afrikë në Romë.
Në ditën e hapjes, në vitin 2024 kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni prezantoi një plan për zhvillimin e Afrikës, i cili qeveria e saj shpreson të frenojë migrimin nga kontinenti në Evropë.
“Rekordi i fundit i vdekjeve dhe zhdukjeve është një kujtesë e fortë se një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin rrugë të sigurta dhe të rregullta […] është zgjidhja e vetme që do të përfitojë si për migrantët ashtu edhe shtetet”, tha gjatë samitit, Amy Pope, drejtore e përgjithshme e IOM-it.
Sipas shifrave të IOM-it, numri i emigrantëve që vdesin në Detin Mesdhe është rritur ndjeshëm që para, dy viteve raporton Euronews.com.
Projekti i Organizatës për Emigrantët e Zhdukur zbuloi se 3 mijë e 41 migrantë vdiqën ose u zhdukën në Detin Mesdhe në vitin 2023, një rritje e mprehtë nga 2 mijë e 411 në 2022 dhe numri më i lartë që nga viti 2017.
Që nga viti 2014, gjithsej 28 mijë e 893 migrantë kanë vdekur ose janë zhdukur në Detin Mesdhe, raporton IOM. Rruga me numrin më të madh të emigrantëve të vdekur dhe të zhdukur ishte ajo përmes Mesdheut Qendror, me 22 mijë e 824.