Shtatë persona u shoqëruan në Policinë e Kosovës gjatë operacionit policor të zhvilluar sot në Zveçan dhe Zubin Potok, në veriun me shumicë serbe. Pasi u morën në pyetje, u lanë të lirë. Siç njoftoi Prokuroria Speciale, aksioni kishte të bënte me hetimin lidhur me vrasjen e një zyrtari të EULEX-it, më 2013-ën.
Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar në Polici shtatë persona dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt, u tha në njoftim.
Prokuroria Speciale deklaroi se gjatë kontrolleve në nëntë lokacione: shtatë në Zubin Potok e dy në Zveçan, sekuestroi disa prova materiale: dy armë, municione, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike e të tjera.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cenojnë sigurinë, ligjin dhe rendin në Republikën e Kosovës.
Bastisjet u kryen për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale: “rrezikim i personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to, vrasje e rëndë dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Audrius Senavicius nga Lituania ishte pjesëtari i parë i Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit, EULEX, i cili u vra në krye të detyrës, që nga koha e vendosjes së këtij misioni në Kosovë.
Senavicius mbeti i vrarë në një pritë, në rajonin e komunës veriore të Zveçanit, më 19 shtator të vitit 2013. Në atë kohë u sulmuan dy autovetura të EULEX-it që po ktheheshin nga pika kufitare me Serbinë në Jarinjë, për në jug të Mitrovicës. Dy kolegë të zyrtarit lituanez mbetën të lënduar.
EULEX-i pati ofruar shpërblim financiar për këdo që kishte informata rreth vrasjes së Senaviciusit. Një ekip i hetuesve të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës ishin angazhuar në hetime.
Operacioni në dy komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, nisi mëngjesin e sotëm dhe zgjati për disa orë. Lidhur me të reaguan zyrtarë serbë në Kosovë e në Serbi, që e cilësuan si pjesë të një “shtypjeje të serbëve” në Kosovë.