Policia sot kreu kontrolle në komunat e Zveçanit e të Zubin Potokut në veri të Kosovës. Zyra për Kosovën në Beograd pretendon arrestimin e 7 serbëve, çka nuk konfirmohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Me urdhër të këtij institucioni, u kryen kontrolle në 9 lokacione në veriun me shumicë serbe. Ka dyshime për “rrezikim të jetës së personelit ndërkombëtar të sigurisë”.
Publiku do të njoftohet me detaje, pas përfundimit të operacionit.
Zv.drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se shtatë kontrolle u kryen në Zubin Potok dhe dy në Zveçan.
Serbia: Operacioni në veri synon krijimin e trazirave
Zyra për Kosovën në qeverinë serbe tha se janë arrestuar shtatë serbë, si dhe deklaroi se synohet “frikësimi dhe krijimi i trazirave në mesin e familjeve serbe që kanë jetuar në këto zona për dekada të tëra”.
Kjo ka të bëjë me hakmarrjen e Albin Kurtit kundër popullatës serbe në veri të Kosovës, për shkak të fitores së serbëve në zgjedhjet e fundit lokale, por edhe për shkak të nervozizmit të Prishtinës pas dështimit në zgjedhje, çka Kurti dëshiron ta kompensojë në kurriz të popullit serb.
Zveçani dhe Zubin Potoku, janë dy nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Vitet e fundit, aty ka pasur tensione dhe më 2023-shin, nuk munguan protesta të serbëve lokalë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.
Protestat e 2023-shit kulmuan me përplasjen mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan, më 29 maj. Dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe protestues mbetën të lënduar. Vazhdimisht, NATO ka kërkuar që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë.
Në Banjskë të Zveçanit, një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter në muajin shtator 2023.
Kosova e konsideron këtë si “sulm terrorist” dhe fajëson Serbinë. Përgjegjësinë e mori Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj tij dhe personave të tjerë që dyshohen për rastin, por vetëm ndaj tre vetëve po zhvillohet procesi. Të tjerët nuk gjenden nga autoritetet. Kosova kërkon që Serbia të dorëzojë Radoiçiçin e bashkëpunëtorët. Edhe bashkësia ndërkombëtare kërkon që ata të përballen me drejtësinë.