Bota

Organizatat ndërkombëtare në alarm: Valë e re ekzekutimesh politike në Iran!

Një valë e re ekzekutimesh politike po trondit Iranin, ndërsa organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut paralajmërojnë përshkallëzim të represionit shtetëror pas protestave dhe tensioneve të fundit në vend. Mes dëshmive më tronditëse është ajo e Mehrab Abdollahzadeh, një i ri kurd i dënuar me vdekje, i cili para ekzekutimit dërgoi një mesazh zanor nga burgu.

Ju po e dëgjoni zërin tim nga Burgu Qendror i Oromiyeh-ut e kjo mund të jetë hera e fundit që e dëgjoni, shprehej në regjistrimin e publikuar nga Kurdistan Human Rights Network.

Me një zë të qetë, por të rënduar nga frika dhe lodhja, 29-vjeçari deklaron se është i pafajshëm dhe se rrëfimet kundër tij ishin marrë nën torturë e kërcënime.

Mehrab Abdollahzadeh u arrestua në vitin 2022, gjatë protestave masive që shpërthyen në Iran pas vdekjes së Mahsa Aminit, një vajzë e re e ndaluar nga Policia Morale për mënyrën e mbajtjes së shamisë. Autoritetet iraniane e akuzuan për përfshirje në vrasjen e një anëtari të forcës paramilitare Basij. Pas më shumë se tre vitesh në pritje të ekzekutimit, u var këtë muaj.

Ekzekutimet politike në Iran janë rritur ndjeshëm muajt e fundit. Amnesty International deklaron se këtë vit janë ekzekutuar dhjetëra persona për akuza që lidhen me sigurinë kombëtare, spiunazhin ose pjesëmarrjen në protesta antiqeveritare.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka ngritur alarmin se dënimi me vdekje po përdoret gjithnjë e më shumë si instrument për të heshtur kundërshtarët politikë e për të frikësuar popullsinë. Aktivistët pretendojnë se shumë prej të dënuarve janë gjykuar pa transparencë, pa akses të plotë në mbrojtje ligjore dhe shpesh mbi bazën e rrëfimeve të marra nën presion.

Ndër rastet që kanë shkaktuar reagime të forta është edhe ai i Erfan Shakourzadeh, student 29-vjeçar i Inxhinierisë Hapësinore. Autoritetet iraniane e akuzuan për ndarjen e informacioneve sekrete me shërbimet inteligjente të Izraelit dhe SHBA-ve.

Organizata norvegjeze Hengaw publikoi një letër që pretendohet se u shkrua prej tij para vdekjes, ku deklaronte se ishte detyruar të pranonte akuza të rreme, pas muajsh izolimi e torturash.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, autoritetet iraniane po përdorin gjithnjë e më shpesh akuzën “moharabeh” – ose “Luftë kundër Zotit” – ndaj protestuesve dhe kritikëve të regjimit.

Kjo akuzë, e parashikuar në ligjin islamik iranian, mund të çojë në dënim me vdekje dhe shpesh përdoret në çështje politike ose të sigurisë kombëtare.