Ted Conrad, autori i një prej grabitjeve më të madhe të bankave në histori, është identifikuar pas 52 vitesh që ishte shpallur në kërkim. Conrad punonte në ‘Society National Bank’, në Klivlend të Ohajos, kur kreu grabitjen e famshme, në korrik 1969, më shumë se gjysmë shekulli më parë.
Ted Conrad vodhi 215 000 dollarë nga shefi i tij, që sot do të ishin rreth 2 milionë dollarë. Pas grabitjes, i arratisuri u zhduk. Sipas autoriteteve amerikane, i arratisuri ka jetuar këto 52 vite një jetë të qetë, pa luks, pavarësisht sasisë së madhe të parave që kishte në zotërim. Conrad ndërroi jetë majin e kaluar nga kanceri në mushkëri.

Ai ishte 20-vjeç kur realizoi grabitjen e madhe, kishte pak kohë në stafin e bankës, kur, pavarësisht moshës së tij të re, përfitoi nga siguria mediokër e filialit dhe mori paratë, duke dalë me të gjitha kartëmonedhat të futura në një qese letre. Ai e bëri atë para të gjithëve, në një mbrëmje të zakonshme, kur zyra po mbyllej. Askush nuk e vuri re. Kur nëpunësit e bankës kuptuan se mungonin shumë para, Conrad ishte zhdukur përgjithmonë.
Ky rast ishte shumë i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kërkimi, i cili ka zgjatur më shumë se 52 vjet, nuk rezultoi i suksesshëm, pasi nuk arritën ta kapnin kurrë. Ai është aq i famshëm sa historia e tij është treguar edhe në emisione televizive.

Sipas autoriteteve, i arratisuri u kishte treguar miqve të tij për planet e tij për të vjedhur paratë, madje mburrej se sa e lehtë do të ishte t’i realizonte. Me sa duket, ai e mori idenë nga filmi i vitit 1969 “The Thomas Crown Case”, ku luan Steve Mcqueen, komploti i të cilit sillet rreth grabitjes së përsosur. Conrad ishte i fiksuar pas këtij filmi dhe organizoi vjedhjen e tij duke u bazuar në këtë film. Pasi kreu krimin dhe u zhduk, Conrad ndryshoi identitetin e tij në atë të Thomas Randele.

Ai i kaloi vitet pasardhëse mes Washingtonit dhe Los Angeles-it derisa më në fund zbarkoi në një lagje të Bostonit, 1000 kilometra nga Klivlend. Sipas “The New York Times”, i arratisuri i kaloi 40 vitet e fundit duke punuar si profesionist i golfit dhe si shitës makinash të përdorura. Çështja Ted Conrad u zgjidh kur hetuesit gjetën nekrologjinë e Randele, në një gazetë lokale muaj më parë. Si rezultat, ata ishin në gjendje të krahasonin dokumentet që ai kishte paraqitur gjatë viteve 1960 me dokumente më të reja.