Rajoni

Osmani: Sulmet hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin e Kosovës!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot bëri thirrje për forcim të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si dhe vlerësoi se sulmet hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin kombëtar. Këto deklarata i bëri në një konferencë të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me temë qëndrueshmërinë kombëtare.

Sulmet hibride, që përfshijnë edhe operacione të kombinuara kibernetike, ushtarake, ekonomike dhe informative, më mirë të them dezinformative në këtë rast, janë sfida reale për stabilitetin tonë kombëtar, u shpreh Osmani, duke bërë thirrje për trajnim ekspertësh dhe bashkëpunim me partnerët strategjikë për ndërtim të kapaciteteve për të garantuar mbrojtje.

Zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas standardeve më të larta të NATO-s mbetet prioriteti ynë strategjik e kombëtar, shtoi Osmani, duke përmendur se investimi në armatim, personel ushtarak dhe mirëqenien e tyre është jetik, ashtu sikurse investimi në institucione të tjera të sigurisë.

Kryetarja e shtetit përmendi edhe sigurinë energjetike si shumë të rëndësishme për sigurinë kombëtare.

Shteti ynë duhet të investojë në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të rëndësishme.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Kosova vazhdon t’i bashkërendojë të gjitha përpjekjet e saj në drejtim të anëtarësimit në NATO.

Ne nuk synojmë vetëm të përfitojmë nga aleancat, por edhe të kontribuojmë në to.

Zyrtarët e Kosovës synojnë anëtarësimin e vendit në këtë aleancë veri-atlantike, ndonëse janë të vetëdijshëm se anëtarësimit në NATO duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në programin e aleancës, Partneriteti për Paqe.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë program, ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare.

Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë që në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe. Kosova kufizohet me tri shtete anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania e Sllovakia.