Stephen Graham preku zemrat e publikut në Critics Choice Awards, jo vetëm me çmimin për rolin e tij në miniserialin Adolescence, por edhe me mënyrën se si e ktheu skenën në një homazh emocional për bashkëshorten e tij, Hannah Walters.
Sapo u ngjit në skenë për të marrë çmimin, aktori britanik shpërtheu të qeshurat në sallë kur tha me humor:
Jam i vetmi person që nuk e njoh në këtë dhomë.

Por momenti që rrëmbeu vëmendjen erdhi kur ai iu drejtua drejtpërdrejt gruas së tij:
E shikon? Ta thashë që ishte shaka e mirë, Hannah!
-ndërsa kamera kapi reagimin e saj plot dashuri dhe ironi.
Në rrjetet sociale, fansat reaguan menjëherë, duke e përshkruar sezonin e çmimeve të Stephen Graham si “një letër dashurie publike” për Hannah Walters.
Dhe kjo nuk është hera e parë. Vetëm pak muaj më parë, gjatë fjalimit të tij në Emmy Awards, aktori u shpreh me lot në sy:
Ti je shkëmbi im, bota ime, shpirti im binjak. Pa ty, unë nuk do të isha gjallë.
Stephen ka folur hapur për betejat e tij me shëndetin mendor dhe ka zbuluar se Hannah ishte pranë tij pas një tentative vetëvrasjeje në të 20-at, një periudhë që ai e përshkruan si më të errëtën e jetës.
Ajo jo vetëm që e mbështeti emocionalisht, por edhe sakrifikoi karrierën e saj si aktore, për t’i dhënë familjes stabilitet dhe për ta ndihmuar Stephen të ecë përpara.

Çifti u njoh në vitet ’90 gjatë studimeve për aktrim dhe u martua në vitin 2008. Sot kanë dy fëmijë dhe një kompani të përbashkët produksioni, Matriarch Productions, e cila qëndron pas suksesit të Adolescence dhe projekteve të tjera të vlerësuara nga kritika.
Hannah vazhdon të jetë forca e padukshme pas shumë prej arritjeve të tij, nga leximi i skenarëve për shkak të disleksisë së Stephen, deri te roli kyç në zhvillimin e projekteve filmike.
Në një industri shpesh të ftohtë dhe konkurruese, Stephen Graham po i kujton publikut se pas çdo suksesi të madh, shpesh fshihet një histori dashurie, sakrifice dhe mbështetjeje të pakushtëzuar.