Ylli britanik i muzikës pop, Adele, ka treguar anën e saj më personale duke dërguar një letër falënderimi për krijuesit e serialit të Netflix “Adolescence”.
Këngëtarja 37-vjeçare u shpreh se drama e fuqishme e ka afruar më shumë me djalin e saj 13-vjeçar, Angelo, me të cilin e ka ndjekur serialin.
Në letrën drejtuar regjisorit Philip Barantini, Adele vlerësoi ndikimin emocional të serialit, që rrëfen historinë e një adoleshenti të përballur me pasojat e radikalizimit online. “Adolescence” është aktualisht një nga prodhimet më të shikuara në Netflix në gjuhën angleze, menjëherë pas “Wednesday”.
Regjisori Barantini tha se ka marrë reagime të shumta nga publiku, përfshirë edhe një mesazh nga regjisori legjendar Steven Spielberg.
Letra e Adeles, sipas tij, ishte një nga momentet më prekëse që e bëri përvojën edhe më domethënëse.
Seriali ka nxitur debat publik në Mbretërinë e Bashkuar, duke u përmendur edhe nga kryeministri britanik Sir Keir Starmer, i cili ka rekomanduar shfaqjen e tij në shkolla dhe tha se e ka parë me fëmijët e tij.
Ndërkohë, në jetën personale, Adele po vazhdon përpara pas divorcit me Simon Konecki. Ajo është në një lidhje me menaxherin e njohur të sportit, Rich Paul, që nga viti 2021.