Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Mirësevini në vitin 2026, ku beteja më e madhe e njeriut nuk është ekonomia, lufta apo klima. Është:
“Mos e prek telefonin pas orës 12.”Dhe tani dikush ka shpikur një alarm inteligjent që po bëhet viral sepse po arrin një mrekulli moderne: po i detyron njerëzit të flenë pa telefon në krevat. Pajisja quhet Dreamie dhe kushton 250 dollarë. Pra po paguajmë… vetëm që të mos shohim reels me qen që flasin në 3 të natës.
Dreamie funksionon si një “trajner gjumi” për njerëzit që kanë marrëdhënie toksike me telefonin. Të vendos zhurma shiu, zjarri dhe madje podcaste që të flesh pa e kapur telefonin me atë gënjeshtrën klasike:
“Vetëm 5 minuta.”
Ato 5 minutat zgjasin sa një sezon Netflix-i.Pajisja gjithashtu ka një funksion special për ata që zgjohen në mes të natës. Sepse të gjithë e kemi bërë atë gabimin fatal: zgjohemi në 4 të mëngjesit, hapim telefonin “vetëm për të parë orën”… dhe 40 minuta më vonë dëgjojmë zogjtë.
Sipas statistikave, 87% e njerëzve flenë me telefonin në dhomë. Praktikisht telefoni është bërë objekti i fundit që shohim natën dhe i pari që prekim në mëngjes. Ka njerëz që nuk pinë ujë sapo zgjohen… por kontrollojnë Instagramin sikur janë menaxherë të NASA-s.
Pra teknologjia miq më në fund po shpik pajisje për të na mbrojtur… nga vetë teknologjia.