Vetëm pak sheqer mund të bëjë mrekullira për foshnjat që përballen me injeksione ose analiza gjaku në spital. Një rishikim shkencor i fundit tregon se duke vendosur pak sheqer në gojën e foshnjës para një procedure me gjilpërë, dhimbja mund të reduktohet ndjeshëm. Foshnjat, veçanërisht të sapolindurit dhe ata që qëndrojnë në njësi intensive, ndjejnë dhimbjen më fort se të rriturit, sepse sistemi i tyre i ndjeshmërisë ndaj dhimbjes është ende i pazhvilluar.
Rishikimi i bërë nga Cochrane tregoi se sukroza (sheqeri) ul dhimbjen gjatë dhe menjëherë pas injeksionit dhe madje rezultoi më efektive se biberonët. “Prindërit mund të habiten të mësojnë se diçka kaq e thjeshtë si pak sheqer mund të bëjë një ndryshim të madh në rehati e foshnjës së tyre gjatë analizave të gjakut,” thotë Ligyana Candido nga Universiteti i Ottawa-s.
Analiza përfshiu 29 triale me 2764 foshnja nga e gjithë bota. Foshnjat u ndanë në grupe. Disa morën sheqer, të tjerët metoda të tjera qetësuese si gjiri, biberon ose kontakt lëkurë me lëkurë. Foshnjat që morën sheqer përjetuan më pak dhimbje. Për foshnjat e spitalizuara, kjo është një shpëtim i vogël. Shumë foshnja që lindin parakohe ose që kanë nevoja mjekësore kalojnë ditë të gjata në spital dhe shpesh i nënshtrohen gjilpërave për analiza gjaku ose për linja intravenoze. Dhimbja e përsëritur e patrajtuar në këtë fazë mund të ndikojë negativisht në zhvillim dhe rritje.
“Të sapolindurit shpesh përballen me injeksione pa asnjë qetësim, ndërsa tek fëmijët më të mëdhenj dhe të rriturit kjo nuk ndodh,” shpjegon Mariana Bueno nga Universiteti i Torontos. Ajo shton se pak sheqer është një metodë e thjeshtë, e shpejtë dhe me kosto të ulët, që funksionon brenda minutash dhe është veçanërisht e dobishme kur nuk ka mënyra të tjera për t’i qetësuar foshnjat. Megjithatë, efektet afatgjata të përdorimit të vazhdueshëm të sukrozës duhet të studiohen më tej.