Pas shumë orësh diskutime juria ndërkombëtare, si projektin më të mirë për transformimin e “Asllan Rusit” zgjodhi kompaninë arkitekturore holandeze MVRDV.
Në Konkursin Ndërkombëtar për Rilindjen e Pallatit të Sporteve “Asllan Rusi”, ishin 6 skuadra finaliste, të cilat prezantuan projekt-idetë arkitekturore përpara jurisë ndërkombëtare.
…
Një prej godinave emblemë të Tiranës së shpejti do të rilindi. Bëhet fjalë për Pallatin e Sportit « Asllan Rusi » që ka qenë shtëpia e sa e sa ndeshjeve që kanë ngritur peshë zemrat e njerëzve.
Lajmin e mirë e ka dhënë ministri për kulturën dhe sportet Blendi Gonxhja me një postim në rrjetin social facebook ku shkruan se “Në Konkursin Ndërkombëtar për Rilindjen e Pallatit të Sporteve “Asllan Rusi”, gjashtë skuadrat finaliste prezantojnë sot projekt-idetë e tyre arkitekturore përpara jurisë ndërkombëtare”.
Në ceremoninë e prezantimit duket se ka qenë i pranishëm dhe kryeministri Rama.
Më poshtë postimi i plotë:
Në Konkursin Ndërkombëtar për Rilindjen e Pallatit të Sporteve “Asllan Rusi”, gjashtë skuadrat finaliste prezantojnë sot projekt-idetë e tyre arkitekturore përpara jurisë ndërkombëtare
Me këtë projekt, ne po bëjmë një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një ekosistemi sportiv të plotë, ku infrastruktura, edukimi, komuniteti dhe ekonomia sportive punojnë krah për krah për një qëllim të përbashkët: një Shqipëri më aktive, më e shëndetshme, më vitale dhe më e qendrueshme.
Si Ministria përgjegjëse që mbulon Sportin, garantojmë se angazhimi ynë është i palëkundur: Kohët që jetojmë kërkojnë inovacion, spektër buxhetimi multidimensional dhe financim kreativ, sinergji me sektorin privat por edhe largpamësi në sfidën e mirëmbajtjes, administrimit dhe të menaxhimit si asete.
Sporti, si një nga kulturat më universale dhe të pazëvendësueshme të njerëzimit kërkon mbështetje të jashtëzakonshme, ndaj edhe ndjehem krenar për kontributin konkret për këtë model partneriteti që materializon një Arenë të re, multifunksionale, me certifikim nga federata ndërkombëtare si EHF, FIBA, etj, me kapacitet rreth 6,000 spektatorë, që do të shtohet në hartën e qyteteve që vrapojnë, garojnë, që ofrojnë turizëm sportiv dhe evente ndërkombëtare.