Bota

Pamje të trishta/Everesti kthehet në një ‘depo’ plehrash!

Kampi më i lartë i Everestit është shndërruar në një vendgrumbullim mbeturinash. Pamjet e publikuara në rrjete sociale kanë bërë xhiron e rrjetit, ku shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni bosh dhe mbetje të tjera. Dhjetëra tenda të verdha të grisura mbeten të ekspozuara ndaj erërave të forta.

Kampi IV ndodhet në Shtratin Jugor, midis Everestit dhe Lhotse, përkatësisht maleve më të larta dhe të katërta më të larta në botë. Në një lartësi prej 7,925 metrash, është pika e fundit e pushimit para përpjekjes së fundit të alpinistëve përmes “Zonës së Vdekjes” drejt majës 8,148 metra. “Ajo që duhet të jetë një nga vendet më spektakolare në planet, në shumë mënyra, është bërë një nga aspektet më të shëmtuara të komercializimit të Everestit”, shkruhet në faqen e Everest Today, një llogari kushtuar alpinizmit, në një postim në X.

Ndërkaq, një rekord prej 274 alpinistësh arritën majën e Malit Everest brenda një dite përmes anës jugore të Nepalit, duke shënuar numrin më të lartë të ngjitjeve të realizuara ndonjëherë në një ditë të vetme. Një udhërrëfyes i njohur nga grupi etnik Sherpa nga Nepali ka vendosur një rekord të ri historik, pasi është ngjitur në malin Everest për herë të 32-të, duke thyer rekordin e tij të vitit të kaluar. Kami Rita Sherpa, 56 vjeç, arriti majën më të lartë në botë, 8 mijë e 849 metra, të dielën në mëngjes, ndërsa shoqëronte një grup alpinistësh të huaj nga kompania “14 Peaks Expedition”. Departamenti i Turizmit i Nepalit e ka përgëzuar atë për këtë “moment historik”, duke vlerësuar kontributin e tij të vazhdueshëm në zhvillimin e turizmit malor në vend.