Botë e Çuditshme Lifestyle

Amerikani thyen rekordin botëror, ngjitet në Everest për 10 orë…

Alpinisti amerikan Tyler Andrews ka vendosur një rekord të ri botëror për ngjitjen më të shpejtë të malit Mali Everest me përdorimin e oksigjenit shtesë. 36-vjeçari arriti të përshkojë itinerarin nga kampi bazë në lartësinë 5,364 metra deri në majën 8,848 metra për vetëm 9 orë e 55 minuta, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur nga nepalezi Lhakpa Gelu në vitin 2003.

Lajmi u konfirmua nga David Steven, drejtues i kompanisë “Asia Trekking”, e cila organizoi ekspeditën. Sipas tij, Andrews arriti në “çatinë e botës” në më pak se 10 orë, një arritje e jashtëzakonshme në alpinizëm. Edhe pse e realizoi ngjitjen i vetëm, amerikani u asistua nga dy guida Sherpa, të cilët i siguruan oksigjen, ujë dhe pajisjet e nevojshme gjatë rrugës.

Sezoni pranveror i ngjitjeve në Everest këtë vit ka regjistruar shifra rekord. Sipas autoriteteve nepaleze, mbi 950 alpinistë kanë arritur majën që prej nisjes së sezonit më 13 maj, falë kushteve të favorshme atmosferike. Ndërkaq, një udhërrëfyes i njohur nga grupi etnik Sherpa nga Nepali ka vendosur një rekord të ri historik, pasi është ngjitur në malin Everest për herë të 32-të, duke thyer rekordin e tij të vitit të kaluar. Kami Rita Sherpa, 56 vjeç, arriti majën më të lartë në botë, 8 mijë e 849 metra, të dielën në mëngjes, ndërsa shoqëronte një grup alpinistësh të huaj nga kompania “14 Peaks Expedition”. Departamenti i Turizmit i Nepalit e ka përgëzuar atë për këtë “moment historik”, duke vlerësuar kontributin e tij të vazhdueshëm në zhvillimin e turizmit malor në vend.

Sipas autoriteteve, Kami Rita Sherpa e arriti majën në orën 10:12 të paradites. Në të njëjtën ngjitje, një tjetër Sherpa, Lakhpa 52 vjeçe, ka shënuar gjithashtu një rekord personal, duke u ngjitur për herë të 11-të në Everest, më shumë se çdo grua tjetër deri më sot. Kami Rita Sherpa ka lindur në fshatin Thame në distriktin Solukhumbu, e njëjta vendlindje me legjendën e alpinizmit Tenzing Norgay, i cili së bashku me Edmund Hillary-n realizoi ngjitjen e parë historike të Everestit në vitin 1953.