Papa Leoni XIV mbajti meshën e parë të Krishtlindjes në rolin e kreut të Selisë së Shenjtë në mesnatë, duke mirëpritur mijëra besimtarë të mbledhur në Sheshin Shën Pjetër në Vatikan. Leoni tha se Krishtlindja është festë e “besimit, bamirësisë e shpresës” dhe e ka kritikuar “ekonominë e shtrembëruar” që “na çon drejt trajtimit të njerëzve si mallra të thjeshta”.
Në Tokë nuk ka vend për Zotin nëse s’ka vend për njeriun. Refuzimi i njërit e refuzon tjetrin, tha Papa.
Para se të niste meshën, ai falënderoi rreth 5.000 persona të mbledhur afër objektit të bazilikës, pavarësisht motit me shi. Papa amerikan ka një qasje më moderne në krahasim me paraardhësin e tij karizmatik, Papa Françeskun, i cili mbylli sytë më 21 prill. Në meshë morën pjesë figura të larta kishtare, diplomatë e mijëra besimtarë.
Në ceremoni u shënua lindja e Jezu Krishtit, ndër ditët më të rëndësishme në kalendarin e Kishës Katolike. Krishtlindja e këtij viti shënon edhe fundin e Vitit të Shenjtë Jubilar të Kishës Katolike, që çoi në dyndje të miliona pelegrinëve në Romë.
Në Kosovë, ceremonia kryesore u mbajt në Katedralen Shën Tereza në Prishtinë dhe morën pjesë figura kryesore shtetërore, përfshirë presidenten Vjosa Osmani e dhjetëra besimtarë.
Krishtlindja është frymëzim që na kujton se edhe përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa. Kjo festë na fton për respekt të ndërsjellë ndaj familjes që na do pa kushte, ndaj miqve që na qëndrojnë pranë e bashkëkombësve tanë me të cilët na lidh gjuha, gjaku dhe shpresa e përbashkët, u shpreh Osmani.
Më herët gjatë këtij muaji, presidentja e ka takuar personalisht Papa Leonin XIV, të cilit i ka kërkuar njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Vatikani. Edhe pse Vatikani nuk e njeh Kosovën, dy vendet mbajnë raporte mes tyre. Në janar 2024, Kosova hapi Misionin e Posaçëm në Vatikan. Ndërkaq, në maj të këtij viti, raportet janë thelluar edhe më shumë me emërimin e Luigji Biankos si nunc apostolik në Slloveni e delegat apostolik për Kosovën.
Sipas të dhënave zyrtare, 1.7% e popullsisë së Kosovës i takon besimit katolik.