Lifestyle

Para Vitit të Ri, hiqi këto gjëra nga shtëpia! Pastrimi që të qetëson mendjen dhe ndryshon energjinë…

Në prag të Vitit të Ri, shumë njerëz ndalen për të bërë një bilanc personal dhe për të lënë pas mendime apo zakone që nuk u shërbejnë më. Por kjo frymë rifreskimi nuk duhet të kufizohet vetëm te vetja, edhe shtëpia ka nevojë për një “reset”.

Ekspertët theksojnë se largimi i objekteve që mbingarkojnë ambientin ndikon drejtpërdrejt në gjendjen psikologjike dhe krijon një ndjesi qetësie dhe rregulli.

Një nga hapat më të rëndësishëm është pastrimi i garderobës. Nëse një veshje nuk është përdorur për më shumë se një vit, ka shumë gjasa që nuk do të vishet më. Dhurimi i saj jo vetëm që liron hapësirë, por i jep edhe një funksion të ri.

Gjithashtu, varëset prej teli, të cilat shpesh dëmtojnë rrobat dhe dollapin, rekomandohet të zëvendësohen me varëse të holla të veshura me kadife.

Një tjetër element që duhet larguar janë qeset plastike që nuk ripërdoren. Alternativa më e mirë janë qeset prej pëlhure, të cilat janë më miqësore me mjedisin dhe më praktike për ruajtjen e ushqimeve.

Kontrolli i produkteve ushqimore është po aq i rëndësishëm. Ushqimet e skaduara ose ato që afrojnë afatin e përdorimit duhet të hiqen ose të vendosen përpara, për të shmangur mbetjet dhe surprizat e pakëndshme.

Edhe peshqirët nuk janë të përjetshëm. Me kalimin e viteve, ata grumbullojnë lagështi dhe aroma, ndaj rekomandohet zëvendësimi i tyre çdo pesë vjet për një ambient më higjienik dhe komod.

Një pastrim i thjeshtë, por i menduar me kujdes, mund të bëjë diferencën. Duke hyrë në Vitin e Ri me një shtëpi më të rregullt, edhe mendja ndihet më e lehtë, më e qetë dhe më e gatshme për një fillim të ri.