Zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë ngjallin interes edhe për pjesëmarrjen. Referuar proceseve të kaluara zgjedhore, shifrat tregojnë se prej 2008-ës, pra në 17 vite, asnjëherë nuk ka dalë gjysma e popullsisë në to. Për të nxitur pjesëmarrjen, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë të ditur se pranohen edhe dokumentet e skaduara të identifikimit.
Prej 2001-shit është rritur diferenca mes numrit të të regjistruarve për zgjedhjet në Kosovë dhe atyre që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Në zgjedhjet e sotme, për herë të parë janë mbi dy milion të regjistruar.
28 subjekte politike me 1 mijë e 280 kandidatë po konkurrojnë për mbështetjen e mbi dy milion votuesve, për të siguruar një vend në parlamentin me 120 deputetë të Kosovës, në zgjedhjet e sotme parlamentare. Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare. 10 prej tyre janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike.
Mbi 940 qendra votimi qëndrojnë të hapura nga ora 07:00 e mëngjesit e deri më 19:00 të mbrëmjes, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Europian dhe 18 nga Këshilli i Europës iu bashkohen vëzhguesve të tjerë vendas e ndërkombëtarë që po ndjekin nga afër procesin e votimeve.
Për një muaj me radhë, partitë politike bënë fushatë me zotimet për rritje të pagave e të pensioneve në Kosovë, përmirësim të arsimit e të shërbimeve shëndetësore, si dhe për të luftuar papunësinë në vendin më të varfër në Europë.
Zgjedhjet e 9-ta me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 e që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, shihen si një sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe është vënë në përpjekje për një mandat tjetër.
Kjo është edhe hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i vendit përmbushi mandatin e tij të plotë, 4-vjeçar.