Kryetari demokrat, Sali Berisha, sot u paraqit në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim për paraqitje” lidhur me dosjen “Partizani”. Jashtë e pritën mbështetës. Berisha mbante në kokë kapelen me numrin 1, që Partia Demokratike e ka në fletën e votimit, në zgjedhjet e 11 Majit.

Sipas SPAK-ut që kërkon kalimin në gjykim të çështjes “Partizani”, për të cilën akuzohet ish-kryeministri, “Berisha ka miratuar ligje dhe akte nënligjore për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi”, po ashtu i pandehur për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Seanca e radhës për dosjen “Partizani” do të zhvillohet më 23 prill. Berisha mbajti dhe një fjalim:
Të dashur qytetarë dhe qytetare, erdha këtu pa përtesë çdo dy javë sepse ardhja ime shërben si një dëshmi e përbotshme e keqpërdorimit politik të drejtësisë nga narkotrafikanti Edi Rama, për të luftuar kundërshtarët politikë. Hetimi shterues 4-vjeçar, siç e ka quajturi Skap-i dhe vetingu 32-vjeçar familjar i Sali Berishës ka provuar se ai dhe familjarët e tij nuk kanë përfituar kurrë asnjë favor dhe se kursimet e tyre janë në përputhje me ligjet e vendit, përbëjnë gjithsej në 54 vite, 100 mijë euro dhe një apartament 40 metra më i madh se ai që kishte në diktaturë.
Çështja e Skap-it dhe e keqpërdorimit të tij është pjesë e strategjisë së Edi Ramës për të goditur opozitën shqiptare. Eshtë projekti i tij makabër për të marrë një mandat të katërt. Çështja nisi me denoncimin politik, pa asnjë fakt të eksponentit politik të bandave të Elbasanit, Shkodrës dhe Fushë Krujës, Taulant Ballës e është mbajtur dhe mbahet në këmbë me qëllime kryekëput politike.
Çështja kundër meje është dëshmi e standardit të dyfishtë të Skap-it të partisë që sulmon opozitën pa asnjë fakt, ndërkohë që mbulon një mal të tërë me fakte për vjedhjen dhe korrupsionin qeveritar. Me këtë rast, ftoj çdo qytetar të pyesë Skap-in e partisë, pse Taulant Balla është i lirë dhe bën fushatë kur ata flenë mbi dosjet e krimeve të tij? Kur ata disponojnë të gjithë dokumentet se ai është anëtar kryesor i grupit kriminal Toyota Yaris, i grupit kriminal të Suel Çelës, i grupit kriminal të Bajrëve.
Ftoj shqiptarët të pyesin Skap-in, ku kanë shkuar 130 milion euro të djegësit të Tiranës? Të pyesin Skap-in pse nuk heton Belinda Ballukun dhe Edi Ramën që kanë paguar 130 milion euro pa vënë asnjë tullë. Pse nuk është marrë në hetim, ose në ndjekje, asnjëri nga njësia e mbikëqyrjes që kishte detyrë të raportonte çdo muaj për ecurinë e punimeve të djegësit që nuk ekziston. Të gjitha këto kanë një përgjigje. Paratë i mori Edi Rama kryesisht dhe pastaj i ndau me të tjerë.
Të pyetet Skap-i ku kanë shkuar 80 milion euro për anijet fantazmë, tigrat e famshëm të Belindës. Pse Spak-u nuk heton Edi Ramën dhe Ballukun për këto para të vjedhura? Ku kanë shkuar 120 milion euro të checkup-it dhe analizat nuk bëhen? Pse nuk hetohet Edi Rama për paratë që i ka dhënë financueses së tij, Vilma Nushi?
Kush mori 60 milion euro të korrupsionit të tunelit të Llogarasë? I ndanë së bashku me Lubinë, apo i mori Rama kryesisht? Pse Skap-i nuk heton për 110 milion euro që mori Beketi për shkak të mbylljes nga Edi Rama të Agon Channel? Po mbi 105 milion euro humbjet e Air Albania-s, ku kanë shkuar?
Pse nuk hetojnë Edi Ramën që paguan nga paratë tona të gjithë atë luks dhe qejfe personale?
Të dashur qytetarë dhe qytetare, vetëm këto skandale që përmenda, kapin shumën 630 milion euro të grabitur nga Edi Rama e kompani. Nuk janë llogaritur këtu 33 milion euro, toka e vjedhur prej tij në Gjipe prej 224 mijë metër katrorë. Nuk janë llogaritur këtu 38 mijë metër katror që i dha të vëllait duke ua marrë pronarëve tek Rrapi i Treshit.
Nuk janë llogaritur këtu sarajet e Surrelit me themele dy herë më të gjata se vila e diktatorit Enver Hoxha, as dhe parku 8300 metër katrorë. Këto pyetje presin përgjigje në datën 11 Maj nga mbarë qytetarët shqiptarë. Do të marrin përgjigjen më të shkëlqyer nga qytetarët më 11 Maj me votën e tyre të lirë.