Partizani mundi 2-0 Tiranën në javën e 24-tërt të Superiores, duke ruajtur dominimin në derbin e kryeqytetit.
Përballja dhuroi dy tablo në pjesët e saj. Në të parën, Partizani ishte perfekt në të gjitha repartet, teksa shënoi dy herë e pa t’i anulohej edhe një tjetër gol. Në të dytën, të kuqtë i lëshuan iniciativën Tiranës, që i sulmoi, por nuk ia doli të gjente rrjetën, duke u ndalur edhe nga traversa e shtylla kur lojtarët e saj kalonin Qirkon.
Kësisoj, Partizani iu gëzua triumfit të dytë radhazi në derbi dhe sheh edhe më afër zonën e “Final Four”, ndërsa Tirana vazhdon vuajtjen në zonat e rrezikshme të klasifikimit.
Me këtë fitore Partizani ngjitet në kuotën e 33 pikëve, në vendin e pestë të renditjes, Tirana mbetet në vendin e tetë.
Derbi i fazës së parë u fitua nga bardheblutë me rezultatin 0-3, ndërsa të kuqtë reaguan në dhjetor duke triumfuar 0 me 2.
LIVE PARTIZANI-TIRANA 2-0
27′ Sidibe, 36′ Isgandarli
Dinamo nuk e njeh fitoren në Superiore që prej 23 dhjetorit të 2025-ës kundër Partizanit. Dueli i luajtur në “Elbasan Arena” me Flamurtarin e vendit të fundit u mbyll në barazimin 1-1.
Të parët që kaluan në avantazh ishin vlonjatët me Bolzan i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 19-të. Festa nuk zgjati shumë pasi kapiteni Dita riktheu baraspeshën në minutën e fundit të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë të dyja skuadrat shpërdoruan shumë raste dhe nuk arritën të gjenin golin që do tju dhuronte 3 pikët.
Pas kësaj ndeshje, Dinamo mbetet në vendin e katërt me 36 pikë ndërsa Flamurtari ngjitet në vendin e 9-të me 20 pikë, po aq sa Bylisi i cili zbret në vendin e fundit.
DINAMO 1-1 FLAMURTARI
45’+3′ Dita/ 19′ Bolzan (P)
Në orën 19:30 luhet kryendeshja e javës, mes Vllaznisë dhe Elbasanit. Dje Teuta mundi 2-1 Bylisin, ndërsa Vora dhe Egnatia barazuan 1-1.