Aktualitet Sport

Sot derbi i kryeqytetit Partizani-Tirana, ja rrugët e bllokuara!

Policia e Tiranës njofton se ka marrë masa të shtuara sigurie për zhvillimin e derbit të futbollit mes Partizani dhe KF Tiranës e që luhet sot në orën 16:30 në Arenën Kombëtare.

Masat synojnë garantimin e rendit e të sigurisë para, gjatë e pas ndeshjes. Për këtë arsye, nga ora 14:00 e deri në përfundim të aktivitetit do të bllokohen disa segmente rrugore, përfshirë Sheshin “Nënë Tereza”, rrugët “Lekë Dukagjini”, “Dervish Hima”, si dhe zonat përreth stadiumit.

Autoritetet kanë përcaktuar edhe itineraret e lëvizjes së tifozëve për të shmangur përplasjet e grumbullimet jashtë zonave të caktuara. Policia do të shoqërojë tifozët përgjatë këtyre rrugëkalimeve e nuk do të lejojë devijime nga itinerari i miratuar.

Në hyrje të stadiumit do të kryhen kontrolle të rrepta për sende të ndaluara, si mjete të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike. Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi, ndërsa fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen pa prindin ose kujdestarin ligjor.

Gjithashtu, nuk lejohet hyrja e personave të identifikuar më parë si problematikë në aktivitete sportive.

Policia iu bën thirrje tifozëve dhe qytetarëve që të respektojnë masat e të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara gjatë orareve të përcaktuara.