Sipas psikologes Sabrina Romanoff, është shumë normale të ndiheni në siklet kur mësoni se partneri ruan kontaktet me ish-in. Kjo ndodh sepse ka shumë paqartësi rreth natyrës së kësaj marrëdhënieje, cilat janë qëllimet e tyre, çfarë lloj afrimiteti ruajnë dhe çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Një tjetër arsye pse kjo situatë mund të duket shqetësuese është fakti që shumica e njerëzve nuk e konceptojnë dot miqësinë mes ish-partnerëve, veçanërisht nëse nuk ka ekzistuar një miqësi e mirëfilltë përpara lidhjes romantike. Përvoja të kaluara romantike dhe intime nuk zhduken plotësisht dhe mund të rindezen lehtësisht nëse dy njerëz afrohen përsëri.
Në disa raste, mbajtja e një raporti miqësor me ish-in mund të ketë një arsye praktike. Ata mund të ndajnë kujtime të rëndësishme, miq të përbashkët, kafshë shtëpiake apo edhe fëmijë, duke i bërë të detyrueshme kontaktet mes tyre. Megjithatë, jo të gjithë e pranojnë këtë ide. Për disa, mbajtja e kontakteve me ish-in shihet si diçka jo e shëndetshme për një lidhje. Disa njerëz besojnë se sa më gjatë të zgjasë një miqësi e tillë, aq më shumë rrezikohet stabiliteti i marrëdhënies aktuale. Sipas këtij këndvështrimi, ekziston frika se një miqësi me ish-in mund të çojë në mendime apo ndjenja të fshehura që në një moment mund të kthehen në burim konflikti.
Para se të nxirren përfundime, është e rëndësishme të analizohet dinamika mes partnerit dhe ish-it të tij. Disa pyetje që mund të ndihmojnë për të kuptuar situatën janë se sa kohë kanë qenë në një lidhje, a kanë qenë miq përpara se të lidhnin romancë, a ndajnë fëmijë, kafshë shtëpiake apo miq të përbashkët, si ka përfunduar lidhja e tyre dhe sa kohë ka kaluar që nga ndarja.
Nëse marrëdhënia mes tyre ka përfunduar pa drama apo ndjenja të pazgjidhura dhe raporti aktual është i distancuar, atëherë mund të mos ketë arsye për shqetësim. Nga ana tjetër, nëse ish-i vazhdon të jetë një figurë e pranishme në jetën e partnerit në mënyrë të vazhdueshme, atëherë lind nevoja për diskutim. Në fund të fundit, çdo marrëdhënie ka rregullat e saj të brendshme dhe mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë çështje është komunikimi i hapur dhe ndershmëria mes partnerëve.