Mbi 250 mijë besimtarë e udhëheqës botërorë sot i dhanë lamtumirën e fundit Papa Françeskut. Ceremonia mortore u mbajt në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, sipas dëshirës së Papës, i cili donte që “shërbimi funeral të ishte i një bariu dhe një dishepulli të Zotit, jo i një prej të fuqishmëve të Tokës”.
Kardinali Giovanni Battista Re, i cili drejtoi ceremoninë mortore, përmendi rrugën që zgjodhi Papa Françesku ndërsa ishte në krye të Kishës Katolike Romake, si dhe gjurmët që la. Kleriku i lartë kujtoi edhe thirrjen e vazhdueshme të Papa Françeskut: “Të ndërtojmë ura dhe jo mure”.
Përballë tërbimit të luftërave të shumta të këtyre viteve, me tmerret çnjerëzore dhe me vdekje e shkatërrime të panumërta, Papa Françesku ka ngritur vazhdimisht zërin duke u lutur për paqen dhe duke ftuar arsyen, duke ftuar negociata të ndershme për gjetjen e zgjidhjeve të mundshme, sepse lufta, tha ai “është vetëm vdekja e njerëzve, shkatërrimi i shtëpive, spitaleve dhe shkollave”.
Lufta gjithmonë e lë botën më keq se më parë: për të gjithë është gjithmonë një disfatë e dhimbshme dhe tragjike. “Ndërtoni ura dhe jo mure” është një nxitje që ai e përsëriti shumë herë dhe shërbimi i besimit si Pasardhës i Apostullit Pjetër ka qenë gjithmonë i lidhur me shërbimin e njeriut në të gjitha dimensionet e tij.
Në bashkim shpirtëror me gjithë krishterimin, ne jemi këtu në numër të madh për t’u lutur për Papa Françeskun, që Zoti ta mirëpresë atë në pafundësinë e dashurisë së tij. Papa Françesku i mbyllte fjalimet dhe madje takimet e tij personale duke thënë: “Mos harroni të luteni për mua”.
Tani i dashur Papa Françesku, ju kërkojmë të luteni për ne dhe që nga qielli të bekoni Kishën, të bekoni Romën, të bekoni gjithë botën, siç bëtë të dielën e kaluar nga ballkoni i kësaj Bazilike në një përqafim përfundimtar me të gjithë njerëzit e Zotit, por idealisht edhe me njerëzimin që e kërkon të vërtetën me zemër të sinqertë dhe mban lart pishtarin e shpresës.
Duartrokitje të gjata përshëndetën fjalët e kardinalit Re për angazhimin e Bergoglio-s për paqen dhe emigrantët.
Pas ceremonisë mortore, trupi i pajetë i Papa Françeskut u përcoll për në banesën e fundit. Arkivoli i tij kaloi nëpër qendrën historike të Romës përpara se të dërgohej në Bazilikën e Santa Maria Maggiore-s, vendi i fundit i prehjes që kërkoi Ati i Shenjtë.
Në testamentin e tij, Papa Françesku dha udhëzime të thjeshta për varrimin: “Varri duhet të jetë në tokë, pa dekorime të veçanta dhe të mbajë vetëm mbishkrimin: Franciscus”. Në më shumë se një shekull, Françesku është papa i parë që varroset jashtë Vatikanit.
Shumë njerëz të varfër pritën trupin e Bergoglios në Santa Maria Maggiore, të njëjtët që Papa takonte shpesh në jetë. Komuniteti i Sant’Egidio-s njoftoi: “Midis tyre ka të pastrehë, të cilët falë Komunitetit të Sant’Egidio-s tani kanë një shtëpi. Papa Françesku i besoi Sant’Egidio-s akomodimin e të pastrehëve”.