Pas paralajmërimit të ambasadës amerikane, e cila një ditë më parë ngriti alarmin në rrjetet sociale se grupe të lidhura me Iranin mund të sulmojnë objekte të lidhura me SHBA-në, si edhe sheshe apo hapësira publike në Shqipëri, strukturat e Antiterrorit kanë intensifikuar planin e masave. Mediat raportojnë se njësia e Antiterrorit në Policinë e Shtetit ka zhvilluar takime me përfaqësues të ambasadës amerikane dhe asaj izraelite.
Edhe pse plani i masave kishte nisur më herët, pas këtij paralajmërimi është rritur niveli i gatishmërisë dhe janë shtuar kontrollet në terren. Në fokus të masave janë kryesisht ambasada amerikane, izraelite, kampi e muxhahedinëve në Manzë, si dhe sheshe e hapësira të mëdha publike në vend.
Në kuadër të këtij plani pritet të ketë edhe shtim të forcave policore në terren. Pjesë e grupit të punës është edhe SHISH, i cili në bashkëpunim me Antiterrorin do të ketë në fokus të shtuar sigurinë e objekteve diplomatike.