Aktualitet

Ambasada amerikane paralajmëroi se Shqipëria mund të jetë shënjestër e grupeve të lidhura me Iranin/ Tirana e mohon!

Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëroi dje se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Por, autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë, duke e quajtur “hamendje”.

Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare i tha Radios Evropa e Lirë se agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë “nuk e kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.

Ndërkaq, shtoi se Ambasada amerikane “jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja”.

Kështu që, ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm, thuhet në përgjigjen e agjencisë.

Ambasada u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Shqipëri “të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”.

Në një njoftim, selia diplomatike e Uashingtonit deklaroi se grupet e lidhura me Iranin “gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”.

Paralajmërimi erdhi pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri dhe pasi Kuvendi e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira që nga koha kur Shqipëria u ofroi anëtarëve të grupit opozitar iranian, MEK, strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.

Shqipëria gjithashtu e mbështet luftën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt. Irani është përgjigjur duke kryer sulme ndaj Izraelit e bazave amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme.

Sipas një analize të publikuar nga revista amerikane The Atlantic, historikisht, Irani ka përdorur rrjete dhe metoda të ndryshme për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve, veçanërisht kur përballet me presion të madh politik apo ushtarak, duke përfshirë sulme që burojnë jashtë territorit të Iranit.

Ndërkohë, raportime të gazetës New York Times theksojnë se agjencitë amerikane të Inteligjencës po monitorojnë mundësinë që Teherani t’i aktivizojë grupet aleate në rajone të ndryshme për të goditur interesat amerikane ose aleatët e tyre.