Bota

Pas tarifave të reja, Trump do të bisedojë me udhëheqësit kanadezë dhe meksikanë!

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se planifikon që sot të flasë me udhëheqësit e Kanadasë dhe Meksikës, disa ditë pasi shpalli tarifat për mallrat nga këto vende dhe ato nga Kina, që u pritën me zotime për hakmarrje e veprime të tjera. Tarifat e reja prekin tre partnerët kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, por Trump tha se “ia vlen të paguash çdo çmim”, për të forcuar interesat amerikane.

Pavarësisht një marrëveshjeje për tregtinë e lirë që negocioi me Kanadanë dhe Meksikën në mandatin e tij të parë, të shtunën, presidenti vuri tarifa prej 25% për të dyja vendet. Ato do të hyjnë në fuqi nesër, si dhe goditi Kinën me një taksë të re prej 10%.

Presidenti Trump pretendon se të tre vendet nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm dhe opioidit vdekjeprurës fentanil në Shtetet e Bashkuara. Në postimet në rrjetin Truth Social, presidenti Trump pranoi se konsumatorët amerikanë mund të përballen me çmime më të larta për shkak të tarifave.

Kompanitë amerikane që i paguajnë tarifa qeverisë federale për të importuar mallra nga vende të tjera, më pas shpesh e kalojnë të paktën një pjesë, nëse jo të gjithë çmimin te konsumatorët, në vend që të mbulojnë shpenzimet e tyre shtesë. Presidenti Trump i përqendroi komentet e tij te Kanadaja, duke synuar një nga aleatët më të afërt të Shteteve të Bashkuara. Byroja e Regjistrimit tha se Shtetet e Bashkuara kishin një deficit tregtar prej 55 miliardë dollarësh me Kanadanë vitin e kaluar.

Përse? Nuk ka asnjë arsye. Ne nuk kemi nevojë për asgjë që kanë ata. Ne kemi energji të pakufizuar, duhet të prodhojmë makinat tona dhe të kemi më shumë lëndë druri se mund të përdorim ndonjëherë. Pa këtë subvencion masiv, Kanadaja pushon së ekzistuari si një vend i qëndrueshëm. E ashpër por e vërtetë! Prandaj, Kanadaja duhet të bëhet shteti ynë i dashur i 51-të. Taksa shumë më të ulëta dhe mbrojtje shumë më e mirë ushtarake për popullin e Kanadasë – DHE JO TARIFA!

Kanadaja, Meksika, Kina dhe shumë të tjera… vazhdojnë të shqyejnë Amerikën prej dekadash, si në lidhje me TREGTINE, KRIMIN DHE DROGAT HELMUESE që lejohen të rrjedhin kaq lirshëm në AMERIKE. ATO DITE KANE MARRE FUND!

Me tarifat e reja, a do të ketë pak dhimbje? Ndoshta po (dhe ndoshta jo!) Por ne do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe dhe e gjitha do t’ia vlejë çmimin që duhet paguar.

Ndihmësit e presidentit Trump nuk kishin pranuar më parë se tarifat mund të rrisin çmimet e konsumit në SHBA. Anketat mbarëkombëtare treguan se zhgënjimi i konsumatorëve me rritjen e çmimeve gjatë katër viteve të fundit ishte një faktor kryesor që ndikoi në fitoren e tij në zgjedhjet e nëntorit përballë demokrates Kamala Harris.

Presidenti Trump e ka pranuar që atëherë se nuk do të jetë e lehtë të frenohen çmimet më të larta të ushqimeve. Ai vendosi tarifën e re për importet e energjisë nga Kanadaja në 10%, duke kërkuar të kufizojë një rritje të çmimeve të karburantit dhe energjisë elektrike.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, tha se vendi i tij do të kundërpërgjigjet me tarifa 25% për mallra të caktuara amerikane me vlerë prej 106.6 miliardë dollarësh, me një raund të parë nesër, ndjekur nga një i dytë në tre javë.

Udhëheqësit e disa provincave kanadeze kanë njoftuar veprime hakmarrëse, të tilla si ndalimi i menjëhershëm i blerjeve të pijeve alkoolike në SHBA e më konkretisht, lëngut të portokallit të prodhuar në shtetin amerikan të Floridas, uiskit në Tenesi dhe gjalpit të kikirikut në Kentaki, tre shtete në të cilat Trump fitoi në zgjedhjet e nëntorit të kaluar dhe të gjitha të përfaqësuara nga republikanët në Senatin Amerikan.

Kirsten Hillman, ambasadorja kanadeze në SHBA, tha për rrejtin ABC se “jemi vërtet të zhgënjyer” dhe “të hutuar” nga veprimet e presidentit Trump e shtoi se shpresonte që ai të tërhiqej.