Në prag të festës së Pashkëve, është rritur ndjeshëm fluksi i lëvizjeve në pikën kufitare të Kapshticës. Gjatë 24 orëve të fundit, përmes kësaj pike kanë hyrë dhe dalë gjithsej 10,478 shtetas. Sipas të dhënave zyrtare, numri më i madh i udhëtarëve është regjistruar në hyrje të territorit shqiptar, me 7,921, ndërsa në dalje, 2,557 shtetas. Autoritetet bëjnë me dije se fluksi më i lartë është regjistruar gjatë pasdites së së enjtes, ndërsa pritet që lëvizjet të mbeten të larta edhe gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës janë përpunuar gjithsej 10,700 shtetas në hyrje-dalje, nga të cilët 7,740 në hyrje dhe 2,960 në dalje. Po ashtu, janë regjistruar 3,656 mjete, prej tyre 2,796 në hyrje dhe 860 në dalje.
Krahasuar me ditët normale, ku lëvizjet ditore kapin mesatarisht shifrën 3,000 hyrje-dalje, rritja e fluksit është dukshëm e lartë. Sipas të dhënave zyrtare, fluksi ka nisur të rritet që në fillim të javës, kur lëvizjet kapnin shifrën 5,500, çka përbën një rritje prej rreth 80% krahasuar me ditët e zakonshme.
Kjo lëvizje e shtuar në hyrje tënterritorit shqiptar lidhet me festën e Pashkëve, duke reflektuar kthimin e emigrantëve dhe shtimin e vizitave familjare në këtë periudhë festive. Pika kufitare e Kakavijës, si më e madhja me Greqinë, përballet tradicionalisht me rritje të fluksit në festa të tilla. Aktualisht të dyja palët funksionojnë me nga 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje pa shënuar rradhë në pritje.
Në prag të Pashkës, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, dje përcolli një mesazh urimi për besimtarët, duke theksuar rëndësinë e Ngjalljes së Krishtit si themeli i besimit të krishterë dhe burimi i shpresës së vërtetë për njerëzimin.
Pashka është përkujtimi i Ngjalljes së Zotit Jisu Krisht dhe e vërteta themelore e besimit dhe e jetës sonë. Nëse nuk do të kishte pasur Ngjallje, nëse nuk do të ishte mundur vdekja, atëherë predikimi dhe besimi ynë i krishterë do të ishte i kotë (I Kor. 15:14), thekson apostulli i madh, sepse vetëm nëpërmjet Ngjalljes së Zotit, natyra jonë njerëzore mori rëndësinë dhe kuptimin e saj të vërtetë. Fitorja e Tij mbi vdekjen është një fitore universale, për të gjitha kohërat dhe për të gjithë popujt, fitore me të cilën mund të gëzohet çdo njeri. Çdo fitore tjetër në botë ka krijuar ndarje dhe vazhdon t’i ndajë njerëzit nga njëri-tjetri. Kur një fiton, një tjetër humb. Njëri gëzohet dhe tjetri hidhërohet. Ndërsa në fitoren e Ngjalljes së Krishtit, duhet të gëzohen të gjithë, sepse mundet vdekja, armiku i përbashkët i të gjithë njerëzve.
Kryepeshkopi Joani kujtoi me mall mungesën e Kryepeshkopit Anastas, duke shprehur besimin se ai tashmë ndërmjetëson për ne pranë Zotit dhe se vdekja nuk është fundi, por fillimi i një jete të re.