Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi që Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale të respektojë projektkalendarin e miratuar dhe të zhvillojë dëgjesën e parashikuar me Bashkinë e Tiranës, përpara se ekspertët dhe komisioni të paraqesin përfundimet e tyre.
Gjatë mbledhjes së komisionit, Tabaku theksoi se diskutimi nuk lidhet thjesht me zgjatjen formale të mandatit, por me domosdoshmërinë që puna e komisionit të ndjekë etapat e përcaktuara dhe të prodhojë një analizë të mbështetur në fakte.
Sipas saj, nuk mund të hartohet një raport serioz mbi funksionimin e reformës së vitit 2014, ndërkohë që Bashkia e Tiranës, njësia vendore më e madhe në vend, nuk ka raportuar ende përpara komisionit.
“Nuk mund të flasim për përfundime kur bashkia më e madhe në vend nuk ka dhënë llogari. Ekspertët nuk mund të paraqesin gjetje pa dëgjuar më parë institucionin që administron rreth 1.3 milionë qytetarë dhe buxhetin më të madh vendor”, u shpreh Tabaku.
Ajo argumentoi se dëgjesa me Bashkinë e Tiranës është e nevojshme për të kuptuar nëse zgjerimi territorial ka sjellë shërbime më të mira, nëse qytetarët kanë përfituar dhe nëse burimet financiare janë përdorur në përputhje me nevojat e komuniteteve.
Tabaku përmendi mungesën e shkollave në zona si Astiri, Zall-Bastari dhe Zall-Herri, si dhe problematikat me trafikun, infrastrukturën, strehimin social dhe përdorimin e të ardhurave nga taksat vendore.
“Ne duhet të dimë nëse taksa e arsimit i ka shërbyer komunitetit, si është menaxhuar zgjerimi i bashkisë dhe çfarë ka ndryshuar realisht në jetën e qytetarëve. Pa këto përgjigje, nuk kemi një analizë të plotë”, deklaroi ajo.