Aktualitet

PD kërkon shtyrjen e afatit të Komisionit për Reformën Territoriale, bashkëkryetari Boçi: Ky proces nuk mund të bëhet me etapa të kapërcyera

Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale u mblodh sot për të diskutuar mbi ecurinë e punës dhe raportet e paraqitura nga ekspertët.

Bashkëkryetari i Komisionit, deputeti Luciano Boçi, kritikoi mënyrën se si mazhoranca po përpiqet të përshpejtojë procesin, duke anashkaluar disa prej etapave të miratuara në projektkalendarin e punës.

“Ne e ftojmë Komisionin të respektojë veten dhe vendimet që ka miratuar. Kemi një projektkalendar dhe nuk mund të digjen etapat e përcaktuara në të”, deklaroi Boçi.

Sipas tij, raporti i paraqitur mbështetet kryesisht mbi Reformën Administrativo-Territoriale të vitit 2014, ndërkohë që Komisioni duhet të zhvillojë fillimisht një analizë të plotë të reformës ekzistuese dhe më pas të përcaktojë parimet mbi të cilat do të ndërtohet reforma e re.

Boçi ngriti pikëpyetje mbi punën e ekspertëve të mazhorancës për një model të ri territorial, në një kohë kur Komisioni ende nuk ka miratuar parimet dhe metodologjinë mbi të cilat duhet të bazohet reforma.

“Si mund të kenë punuar ekspertët e mazhorancës për Reformën Administrativo-Territoriale 2, kur ende nuk kemi përcaktuar parimet e saj?”, pyeti ai.

Bashkëkryetari i Komisionit evidentoi gjithashtu se procesi i dëgjesave nuk ka përfunduar. Sipas tij, dëgjesa për Qarkun e Tiranës ende nuk është mbyllur, ndërsa kryetarët e bashkive të Tiranës, Vlorës, Shkodrës dhe Lezhës nuk janë paraqitur në Komision, megjithëse ishin të detyruar të merrnin pjesë.

Ai shtoi se nuk janë zhvilluar ende dëgjesat me komunitetet, grupet e interesit dhe institucionet ndërkombëtare, nuk është realizuar sondazhi publik dhe as vizitat studimore të parashikuara në kalendar.

“Ku është dokumenti politik? Ku janë dy ose tre variantet që duhet t’i paraqiteshin Komisionit? Si mund të flasim për një raport përfundimtar, kur pjesa më e madhe e detyrimeve të miratuara nuk është realizuar?”, u shpreh Boçi.

Deputeti kërkoi shtyrjen e afatit të Komisionit deri në muajin tetor, me qëllim që puna të përfundojë në mënyrë serioze dhe të respektohen edhe afatet kushtetuese për ndryshimet ligjore.

Ai solli si argument edhe shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke theksuar se puna e dy komisioneve është e lidhur drejtpërdrejt. Komisioni e përfundon mandatin në fund të këtij muaji.

“Kemi plotësuar vetëm dy pika e gjysmë të projektkalendarit. Duhet të përfundojmë pikën e tretë dhe të bëjmë një punë që i shërben qytetarëve, jo një reformë të nxituar dhe të paracaktuar”, deklaroi Boçi.

Sipas tij, dëgjesat e zhvilluara deri tani kanë treguar se propozimi për reduktimin e numrit të bashkive nuk gëzon mbështetje të gjerë. Përkundrazi, një pjesë e dëshmive dhe propozimeve të paraqitura kanë kërkuar ruajtjen e 61 bashkive ose shtimin e numrit të tyre.

“Ne nuk po imponojmë mendimin tonë. Po kërkojmë vetëm respektimin e rendit të ditës dhe të projektkalendarit që është miratuar me votë nga vetë Komisioni”, përfundoi Boçi.