Partia Demokratike i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të kërkojë nga qeveria nxjerrjen e një akti normativ për zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit, vetëm për qëllime zgjedhore.
Sipas PD-së, aktualisht 466 mijë shtetas me të drejtë vote në Shqipëri nuk kanë dokument identiteti të vlefshëm, as letërnjoftim, as pasaportë. Ndërkohë, qeveria ka zgjatur vlefshmërinë e dokumenteve vetëm për emigrantët shqiptarë, duke përjashtuar qytetarët brenda vendit – një vendim që PD e konsideron diskriminues dhe antikushtetues.
PD i bën gjithashtu thirrje KQZ-së që të ndërhyjë me forcë pranë qeverisë dhe kërkon vëmendjen e organizmave ndërkombëtarë që monitorojnë procesin zgjedhor, si OSBE/ODIHR, OSBE dhe Këshilli i Europës, për të denoncuar këtë shkelje të të drejtave të njeriut.
“Sot janë 466 mijë shtetas me të drejtë vote të cilët nuk kanë një dokument të vlefshëm identiteti, as letërnjoftim, as pasaportë. Qeveria Shqiptare zgjati vlefshmërinë vetëm për zgjedhësit që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke diskriminuar ata që janë në Shqipëri. Ky diskriminim është antikushtetues dhe rrezikon të drejtën e votës së këtyre 466.000 shtetas që banojnë në Shqipëri, dhe më 11 maj duan të votojnë e të shprehin të drejtën e tyre kushtetuese.
I kërkojmë qeverisë që pa vonesë të nxjerrë aktin normativ dhe të zgjatë vlefshmërinë e dokumenteve të identitetit vetëm për arsye zgjedhore, që këta shtetas më 11 maj të kenë mundësi të votojnë. I kërkojmë KQZ, si organi suprem në mbarëvajtjen e zgjedhjeve që të kërkojë me forcë pranë qeverisë në mënyrë që këta shtetas të kenë mundësi që të votojnë.
Gjithashtu tërheqim vëmendjen e mekanizmave ndërkombëtarë për vëzhgimin e zgjedhjeve, siç është OSBE-ODIHR, OSBE-ja, Këshilli i Europës dhe çdo institucion tjetër ndërkombëtar, që të vënë në dukje këtë shkelje të të drejtave të shqiptarëve. Kjo të bëhet tani, menjëherë, në mënyrë që më 11 maj të gjithë shqiptarët të kenë të drejtën të shprehen për ndryshimin, për të ndryshuar këtë regjim autokratik,” – deklaroi përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi.