I gjithë vendi është përfshirë nga stuhi dhe reshje të dendura shiu duke shkaktuar problemet e para në disa qytete, si edhe vonesa me fluturimet në aeroportin e Rinasit.
Në Tiranë, stuhia ka shkaktuar rrëzimin e disa pemëve në disa zona, te Treni, Shkolla e Bashkuar apo tek zona e Oxhakut.
Në Lezhë shiu i dendur përmbyti rrugët, ndërsa në zonën turistike të Shëngjin raportohet për mungesë të energjisë elektrike.
Stuhia largoi pushuesit në Vlorë, Durrës e në Shëngjin. Largimi i pushuesve shkaktoi kaos në qarkullim në Vlorë, ndërsa lundrimi i peshkarexhave është ndaluar. Ndalesë ka edhe në Sarandë.
Për shkak të motit të keq, avionët që duhej të mbërrinin në Rinas kanë vonesa. Dy fluturime të tjera, Tiranë-Hamburg dhe Tiranë-Pescara u anuluan.
Policia e Shtetit apelon drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorëve që të tregojnë kujdes për shkak të motit të keq. Si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve të shiut, ka prezencë uji në disa akse, si dhe inerte e thyerje të pemëve. Për çdo nevojë, policia iu kërkon të telefononi në numrin 112.
Nisur nga moti i keq me erë të fortë, shi e stuhi në disa qarqe të vendit, Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve të dendura të shiut, ka prezencë uji në disa akse, inerte dhe thyerje të pemëve.
Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të qarkullojnë ngadalë, po ashtu edhe këmbësorët të tregojnë kujdes nga rënia e inerteve, pemëve apo sendeve nga lartësitë e pallateve. Punonjësit e Policisë në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë janë prezentë kudo në terren, për të ofruar ndihmë dhe mbështetje qytetarëve, për shkak të motit të keq.
Qytetarët dhe përdoruesit e rrugës të bashkëpunojnë me Policinë, në rastet e bllokimit të rrugëve apo problemeve të tjera për shkak të motit të keq, me qëllim koordinimin e veprimeve me gjithë strukturat e tjera shtetërore.
Telefononi në 112 për çdo rast nevoje dhe respektoni udhëzimet e Policisë.
Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore përmes një njoftimi iu bën apel kantierëve të ndërtimit që duhet të marrin masat e nevojshme parandaluese në rastet e motit të keq.
Njoftimi i plotë:
Të gjithë subjektet që operojnë në sektorin e ndërtimit të marrin masat e nevojshme parandaluese në rast të parashikimit të një stuhie ose moti të keq. Siguroni skelat, vinçat, materialet dhe pajisjet në kantier.
Hiqni dhe vendosni në vend të sigurt elementët e lirë që mund të shkaktojnë rrezik. Siguroni mbrojtjen e punëmarrësve duke ndërprerë punimet në kushte të rrezikshme.
Vendosni shenjat paralajmëruese për sigurinë e të tretëve. Të garantojmë sigurinë e punëmarrësve dhe qytetarëve si dhe të parandalojmë aksidente që mund të ndodhin nga kushtet e papërshtatshme atmosferike.