Aktualitet

Pensionet indeksohen me 4.1%/Përfitojnë mbi 791 mijë pensionistë!

Këshilli i Ministrave sot miratoi indeksimin e pensioneve në masën 4.1% e përfitues do të jenë mbi 791 mijë pensionistë. Efekti financiar nis nga 1 tetori, siç bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Pensionet e skemës urbane mesatare do të rriten me 752 lekë, kurse ato rurale në vlerën e 453 lekëve.

Nga rritja e pensioneve do të përfitojnë rreth 791,257 përfitues sipas numrit të përfituesve aktual dhe planifikimit të përfituesve të ardhshëm deri në datë 31.12.2024. 721,705 janë pensione nga skema e detyrueshme dhe 68,613 janë pensione nga programe të veçanta të qeverisë, skema suplementare apo trajtime të veçanta. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në shumën 1,693,000,000 (një miliard e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tre milion) lekë, për tre muajt e fundit të vitit 2024, të cilat përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së.

Nga mesi i muajit të ardhshëm do të nisin dhe konsultimet për rishikimin e skemës së pensioneve. Pas mbledhjes së qeverisë, ministri Gonxhja u shpreh:

Po përqendrohemi tek barazia mes profesioneve me të ardhura të njëjta. Synim është që të shohim nivelet dhe kategoritë e çfarëdolloj pensioni, që janë në një nivel sot, për shkak të skemës dhe kontributeve të tyre që në mënyrë të ligjshme të përcaktuara ndër vite kanë atë nivel të ardhura dhe duhet të ndërhyjmë për ato kategori që i vë ata në vështirësi për përballimin e nevojave bazë të jetës dhe duhet të jetë në proporcion me nevojat që kanë. Po mundohemi të rrisim të ardhura në përgjithësi por ka shumë rëndësi tregu i punës, formalizimi, paga e të ardhurave. Po punojnë që të kemi një rritje të shpërndarjes së mirëqenies.

Ministri i Ekonomisë vuri në dukje se edhe bonusi i fundvitit për pensionistët do të rishikohet e do të jetë më i lartë se vitet e tjera.