Aktualitet

Pensionet me Italinë, mbetet vetëm zbatimi administrativ!

Kryeministri Edi Rama sqaroi sot qytetarët shqiptarë në Itali të cilët janë të interesuar se kur mund të marrin pensionet se gjithçka ka përfunduar dhe tani mbeten vetëm procedurat administrative nga ana e shtetit italian. Në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili e pyet se sa do të presë për të marrë pensionin në shtetin italian.

Do presësh deri kur shteti italian të kryejë të gjitha proceset që ka për të kryer, por është mbyllur procesi të paktën në aspektin e legjislacionit. Ka kaluar dhe janë miratuar të gjitha, sqaroi Rama.

Tani, sipas kryeministrit është zbatimi administrativ.

Pra, është Italia, është qeveria italiane që e ka në dorë këtë punë, por ama nga ana jonë gjithçka ka mbaruar. Edhe nga ana e tyre, nga pikëpamja legjislative gjithçka ka mbaruar, pra nuk bëhet më fjalë ‘do bëhet, s’do bëhet’. Tani çështja është tek procedurat e shtetit italian.

Në 5 mars 2025, Senati italian miratoi në seancë plenare me 129 vota pro dhe asnjë kundër, marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë. Nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, të cilëve i sigurohet bashkimi i periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.

Më herët, Rama përsëriti premtimin për pagën minimale 500 euro, janarin që vjen. Në komunikimin me ndjekësit në rrjetet sociale, iu përgjigj një komentuesi që i shkruante se kishte premtuar rritje pagash, por nuk ka bërë gjë. Sipas shefit të qeverisë, paga mesatare është rritur dy herë. Rama foli dhe për fushatën zgjedhore që fillon nesër. Ai tha se ndryshe nga herët e tjera do ta nisin me një cikël takimesh, duke qenë me fuqinë e tyre kryesore, që siç deklaroi, janë gratë dhe vajzat.

Shefi i qeverisë theksoi sot se paga mesatare në Shqipëri ka pësuar një rritje historike, duke arritur në 830 euro në totalin e saj mes sektorit publik dhe atij privat. Rama vuri në dukje se në Shqipërinë e 2030-ës,  paga mesatare do të jetë 1 mijë e 250 euro.

Vitin 2024 e mbyllëm me një pagë mesatare në sektorin publik prej 1000 eurosh, sipas të dhënave të INSTAT-it. Objektivi ynë është që në vitin 2030, kjo pagë të arrijë në 1250 euro.