Bota

Pentagoni: Avionë të Venezuelës provokuan një anije amerikane!

Pentagoni njoftoi se dy avionë të ushtrisë së Venezuelës fluturuan afër një anijeje të Marinës të Shteteve të Bashkuara, që po lundronte në ujëra ndërkombëtare, “në një lëvizje jashtëzakonisht provokuese”. Ky njoftim shënon një përshkallëzim të ri në tensionet që janë rritur lidhur me dislokimin e anijeve nga Uashingtoni në Karaibe.

E këshillojmë fuqishëm kartelin që udhëheq Venezuelën, të mos ndërmarrë asnjë përpjekje tjetër për të penguar ose ndërhyrë në operacionet kundër narkotikëve dhe kundër terrorizmit të kryera nga ushtria amerikane, deklaroi Departamenti amerikan i Mbrojtjes përmes një postimi në X.

Uashingtoni ka dislokuar luftanije në jug të Karaibeve, teksa tensionet janë rritur mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe udhëheqësit të Venezuelës, Nicolas Maduro, të cilin Amerika e akuzon se udhëheq një kartel të drogës.

Dy ditë më parë, forcat amerikane sulmuan një varkë, që dyshohej se po transportonte drogë në Karaibe. Sipas Trump-it, varka i përkiste Tren de Araguas, një organizate që SHBA-të e kanë futur në listën e organizatave terroriste dhe që presidenti amerikan e lidh me Maduron. Si pasojë e këtij sulmi, Trump deklaroi se u vranë 11 persona.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një vizite në Amerikën Latine, e mbrojti qëndrimin amerikan.

Tani, ata do të na ndihmojnë që t’i gjejmë këta njerëz dhe ne do t’i sulmojmë ata, nëse kjo është mënyra e vetme.

Rubio foli gjatë qëndrimit në Ekuador, një ditë më parë. Ndërkaq, gjatë vizitës në Meksikë para dy ditëve, kryediplomati amerikan tha:

Këto kartele e dinë që do të humbin 2% të mallrave të tyre… Ajo çfarë do t’i ndalë ata është nëse i sulmojmë, nëse i shkatërrojmë.

Në Meksikë, Rubio theksoi se Trump i ka shpallur grupet venezuelase Tren de Aragua dhe Cartel de los Soles si “organizata narkoterroriste”.

Nëse ndodhesh në një anije plot kokainë ose fentanil që është nisur drejt SHBA-ve, ju jeni kërcënim i drejtpërdrejt për SHBA-të.

Pas sulmit të SHBA-ve ndaj anijes, Maduro u përgjigj duke mobilizuar ushtrinë e Venezuelës, e cila numëron rreth 340.000 ushtarë, si dhe rezervistët, për të cilët pretendon se tejkalojnë shifrën 8 milion, duke denoncuar atë që e quajti “kërcënimin më të madh që kontinenti ynë ka parë në 100 vitet e fundit”.

Nëse Venezuela do të sulmohej, menjëherë do të hynte në një periudhë të luftës së armatosur, i tha Maduro gazetarëve të huaj.